Tragjedia e avionit ukrainas, kryeministri i Kanadasë bën një premtim
Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se do të kërkojë “drejtësi” për të vrarët në bordin e një aeroplani ukrainas, i cili u rrëzua javën e kaluar nga Irani.
Trudeau foli në Edmonton, në një vigjilje për 57 kanadezët që humbën jetën në tragjedi.
Ai premtoi se do të kërkojë përgjigje nga Irani, i cili pranoi se ushtria e tij e ka rrëzuar aeroplanin gabimisht, duke shkaktuar vdekjen e të 176 njerëzve në bord.
“Kjo tragjedi nuk do të duhej të ndodhte kurrë. Dua t’ju siguroj se e keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, tha Trudeau, duke iu adresuar një turme prej rreth 2,300 njerëzish.
“Nuk do të pushojmë derisa të ketë përgjigje”, shtoi ai.
Tragjedia ka ndodhur pak orë pasi Irani ka sulmuar me raketa balistike bazat ushtarake amerikane në Irak, më 8 janar.
Teherani fillimisht ka mohuar se ka faj.
Pasi e ka pranuar një gjë të tillë të shtunën, në Teheran dhe qytete të tjera të Republikës Islamike kanë shpërthyer protesta kundër udhëheqjes iraniane./REL