Tragjedia hekurudhore, protestojnë studentët dhe nxënësit e shkollave: Do hakmerremi
Studentë dhe nxënës shkollash në Greqi, kanë dalë në rrugë për të shprehur zemërimin për fatkeqësinë hekurudhore të së martës, ku humbën jetën të paktën 57 persona.
Jo shumë larg spitalit të Larisës, ku u dërguan të vdekurit dhe të plagosurit nga aksidenti, disa mijëra nxënës u mblodhën në protestë në një shesh qendror, duke brohoritur. “Ti nuk mbërrite kurrë, ne do të hakmerremi për ty!”
Protestat u zhvilluan edhe në qendër të Athinës. “Kjo tragjedi na ka tronditur të gjithëve. Mund të isha unë në ato vagonë. Duhet të bëjmë diçka”, tha Maria, e cila po studion për mësuese në shkollën fillore në Universitetin e Athinës.
Studentët kërkojnë përgjegjësi për fatkeqësinë e Tempit. “Sot nuk është një ditë e zakonshme. Sot po dalim në rrugë për të kërkuar që njerëzit të gjenden përgjegjës dhe të mos fshihet asgjë për tragjedinë e Tempit”, tha Angelos Thomopoulos, president i shoqatës studentore të topografëve.