Traktati për Qiej të Hapur, SHBA akuza të forta Rusisë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper, akuzoi Rusinë për shkelje të Traktatit për Qiej të Hapur, duke thënë se Moska ka penguar SHBA-në të kryejë fluturime mbi Kaliningrad dhe pranë Gjeorgjisë. Sipas Esper, fluturimet e tilla janë të lejuara me traktatin në fjalë.

“Ne na është mohuar edhe qasja në stërvitje ushtarake. Kam shumë shqetësime sa i përket traktatit”, tha Esper në një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan. Esper i tha më tej Senatit se Moska e ka shkelur Traktatin “prej shumë vitesh”.

“Ne duhet të flasim më qartë për sjelljen e Rusisë”, tha ai.

Kjo deklaratë e Esper vjen pas sinjalizimeve se administrata e Trump synon të tërhiqet nga Traktati i Qiejve të Hapur.

Lajmi u bë publik në muajin tetor të vitit që lamë pas, nga gazeta prestigjoze Wall Street Journal e cila citonte burime pranë Shtëpisë së Bardhë.

Traktati 18-vjeçar, i nënshkruar nga 34 vende, përfshirë Rusinë , synon të rrisë stabilitetin ndërkombëtar, duke u lejuar vendeve nënshkruese të kryejnë fluturime mbikëqyrëse mbi territoret e njëri-tjetrit, si dhe të vëzhgojnë instalimet ushtarake dhe objektet e tjera.

SHKARKO APP