Tranzicioni i rrezikshëm i pushtetit në SHBA

Nga Barry Eichengreen, Project Syndicate

Tranzicionet presidenciale nuk janë asnjëherë të lehta, sidomos kur ato përfshijnë një president në detyrë që ka humbur zgjedhjet. Por këtë herë tranzicioni, po ndodh në mesin e një krize të madhe shëndetësore dhe ekonomike.

Presidenti në detyrë Donald Trump refuzoi të pranojë rezultatin e 3 nëntorit, teksa ka një antipati të theksuar për presidentin e zgjedhur, të cilin ai e akuzon për pandershmëri, dhe e cilëson si shumë të dobët për të zëvendësuar postin e tij.

Ai e etiketon pasardhësin e tij si një socialist, si mbrojtës të politikave që do ta fusin vendin në rrugën e shkatërrimit. Në vitin 1932, kalimi i pushtetit nga Herbert Hoover tek Franklin Roosvelt, ndodhi në mesin e një depresioni ekonomik dhe një krize bankare të pashembullt në histori.

Presidenti në largim, Hoover, kishte një antipati ndaj pasardhësit të tij, që buronte jo nga mungesa e inteligjencës, por më tepër nga paraliza e pjesshme e Roosvelt. Ai e quajti këtë të fundit një “kameleon” dhe e akuzoi atë për pazare të korruptuara.

Në fushatën e tij dhe më pas, Hoover deklaroi se prirjet socialiste të Roozvelt do ta vendosnin vendin në një “marshim drejt Moskës”.Në atë kohë, tranzicioni i pushtetit zgjati 4 muaj, gjatë të cilit presidenti në ikje dhe Kongresi bënë pak ose aspak për të adresuar krizën në vazhdim.

Falimentimet e bankave dhe paniku po përhapej kudo, duke detyruar guvernatorët nëpër shtete të mbyllnin sistemet e tyre bankare. Por Hoover refuzoi të shpallë ndërprerjen e aktivitetit bankar në mënyrë të njëanshme. Në kohën kur Roosvelt mori detyrën në marsin e vitit 1933, sistemi bankar dhe e gjithë ekonomia ishin praktikisht në një ngërç, transmeton abcnews.al

Hoover ishte i vetëdijshëm për krizën. Por ai ishte ideologjikisht kundër ndërhyrjes së qeverisë federale. Dhe ishte i bindur se po vepronte drejt sipas pikëpamjeve të tij. Sot mund të presim sjellje të ngjashme nga presidenti në ikje Donald Trump.

Nga ideologjia dhe temperamenti që ka, ai duket se ka të ngjarë të refuzojë të bëjë diçka në lidhje me koronavirusin. Pyetja është se sa larg do të shkojë ai në sabotimin e përpjekjeve të presidentit të zgjedhur Joe Biden për ta adresuar këtë krizë kur të marrë detyrën.

A do t’i ndalojë Trump anëtarët e task-forcës së tij mbi koronavirusin, dhe të emëruarit e tjerë prej tij të informojnë ekipin e tranzicionit? A do të japë ai informacione në lidhje me Operacionin “Warp Speed”, që është përpjekja e qeverisë për të prodhuar një vaksinë kundër Covid-19?

Duke mos parë nevojën e politikave të reja, Hoover bëri gjithçka që kishte në dorë për të kufizuar mundësitë e manovrimit të presidentit të ri.

Ai i kërkoi Roosvelt të lëshonte një deklaratë që mbështeste sistemin, si një mënyrë për forcimin e besimit. Ai e inkurajoi presidentin e zgjedhur të mbështeste dhe madje u rekomandoi anëtarëve të delegacionit amerikan të emëruar nga Hoover në konferencën e planifikuar ndërkombëtare për të diskutuar borxhet europiane të luftës,për të rivendosur në mbarë botën standardin e arit.

Roosvelt e njohu rrezikun që vinte dhe refuzoi ta bënte këtë përpara se të merrte detyrën. Kur presidenti i zgjedhur e kundërshtoi, Hoover i zemëruar bëri publike kopjet e komunikimeve të tyre, duke shkaktuar shumë debate në opinionin publik .

Të njëjtën gjë, ne mund të presim që Biden të refuzojë lutjet e Trump – nëse do ketë diçka të tillë dhe të shmangë angazhimet që kufizojnë hapësirën e tij për manovra politike. Por Trump tashmë i ka imponuar sjelljet e tij në mënyra të tjera.

Në veçanti, të emëruarit e Trump në gjykata do të sfidojnë përpjekjen e presidentit të ri për të bërë politikë përmes urdhrave ekzekutivë dhe direktivës rregullatorë. Ndërkohë, përpjekjet për të miratuar reformat dhe konfirmuar paraprakisht të nominuarit në pozita administrative, ka të ngjarë të vonohen nga kreu i shumicës në Senat Mich McConell, gjithnjë duke supozuar se nuk do të ketë surpriza të tjera zgjedhore nga Georgia.

Kalimi i pushtetit nga Hoover tek Roosvelt ndodhi në një kohë të rrezikshme. Mobilizimet spontane politike të të gjitha llojeve ishin në rritje. Një grup prej më shumë se 43.000 veteranësh të Luftës së Parë Botërore dhe familjet e tyre kishin zbritur në rrugët e Uashingtonit në mesin e vitit 1932, duke kërkuar pagimin e certifikatave të shërbimit të tyre.

Ata u shpërndanë me dhunë dhe humbje jete, nga policia e Uashingtonit dhe ushtria amerikane nën gjeneralin Douglas MacArthur.

Kjo ngjarje nuk luajti një rol të vogël në humbjen elektorale të Hoover (një rezultat që mund të ketë shërbyer si paralajmërim për Trumpin, që në mënyrë të ngjashme thirri trupat e ushtrisë për të shpërndarë demonstruesit gjatë verës).

Përveç kësaj, pati protesta, disa prej të cilave të dhunshme, kundër përjashtimeve që ndodhnin në shkallët e gjykatave në të gjithë vendin. Kishte një mbështetje në rritje nga populli për politikanët ekstremistë si Huey Long i Luizianës.

Vështirësitë, papunësia dhe mungesa e shpresës, krijuan sfondin në të cilin Guiseppe Zangara një murator i papunë, me probleme fizike dhe mendore, dhe me pikëpamje ekstremiste, u përpoq të vriste Roosveltin 17 ditë para inaugurimit në detyrë.

Nga e gjitha kjo nxjerrim 2 mësime. Presidenti i zgjedhur dhe ata përreth tij, duhet të marrin masa shtesë për sigurinë e tyre personale, duke pasur parasysh klimën e ndezur politike dhe përpjekjet e vazhdueshme të Trump për të ndezur “flakët”.

Biden sot, ashtu si Roosvelt dikur, duhet të përsërisë mesazhin e tij të shpresës dhe unitetit, si një antidot ndaj koronavirusit dhe ndarjes politike.

Në vitin 1933, ishte “vetë frika”, ajo që duhet të mposhtnin amerikanët. Sot, kur amerikanët duhet të mposhtin frikën ndaj njëri-tjetrit, pohimi i Biden se nuk ka “asnjë shtet të kuq ose blu, por vetëm Shtetet e Bashkuara”, është një fillim i mbarë.

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden mund të ketë premtuar një “rikthim në normalitet”, por e vërteta është se nuk ka kthim pas. Bota po ndryshon në mënyra bazike, dhe veprimet që do të bëjë bota gjatë viteve të ardhshme, do të jenë kritike për të hedhur bazat për një të ardhme të qëndrueshme, të sigurt dhe me prosperitet. Përktheu Sonila Backa/

SHKARKO APP