Tre burrat që garojnë për postin e lartë. Kush do të jetë pasuesi i Merkelit në krye të Gjermanisë?
“Unioni Kristiandemokrat” i kancelares gjermane, Angela Merkel, do të mbajë të shtunën garën për postin më të lartë të partisë dhe ndoshta të qeverisë së re.
Konservatorët kanë mbetur pa një kryetar që prej shkurtit të kaluar kur pasuesja e Merkelit, Anegret Kramp-Karenbauer, njoftoi dorëheqjen pasi nuk e arriti dot autoritetin brenda partisë.
Në fundjavë, vizionin për të ardhmen e Gjermanisë do e shpalosin tre burra.
Fridrish Merc e humbi sfidën me Karenbauerin në dhjetor të 2018-ës, por tani biznesmeni thotë se vjen me ide të reja për të rijetësuar vendin dhe Bashkimin Europian, për ta çuar më djathtas.
Përballë tij kandidojnë Armin Lashet, kryeqeveritari i landit të Nordrain-Vestfalisë, dhe Norbert Roettgen, eksperti i politikave të jashtme që kërkon një CDU të qendrës me moderne.
“Fridrish Merci është vetëpozicionuar si konservatori i vërtetë mes të treve. Armin Lasheti e ka portretizuar veten se vazhdues të Merkelit. Ndërsa Norbert Roettgen ka përvojë të gjerë qeverisëse, dhe ndoshta është edhe kandidati më i mirë për të formuar qeveri më të Gjelbrit në shtator,” thotë analistja politike, Suda Dejvid-Uilp.
Politikani Lashet është përkrahur paraprakisht nga CSU-ja, partia aleate me CDU-në, dhe nga vetë Merkeli.
“Gara është kaq e ngushtë saqë kjo javë mund të mbarojë edhe në balotazh mes dy pretendentëve. Njëri pastaj do duhej t’i kalonte votat e veta tjetrit për të përcaktuar fituesin.”
Kancelarja Merkel hoqi dorë nga kryesimi i partisë në 2018-n pas 18 viteve në udhëheqje, kur u pa se partia e saj humbi mbështetjen e gjerë në elektorat kundrejt ekstremit të djathtë.
Zgjedhjet e reja parlamentare pritet të mbahen këtë vit, më 26 shtator.