Tri anije të bllokuara nga koronavirusi në Japoni, Kinë dhe Hong Kong, 61 persona të infektuar
Janë të paktën 61 persona të infektuar me koronavirus në një anije në Japoni. ky numër është më i larti me të prekur jashtë Kinës, në rang botëror.
Anija e quajtur “Diamond Princess” është e ankoruar në Yokohama, pranë Tokyo-s, me një staf prej 1045 personash dhe 2666 pasagjerësh. Ndërkohë në bord ndodhen edhe 428 shtetas amerikanë.
Anija është futur në karantinë qysh të martën dhe pritet që pasagjerët e saj të qëndrojnë në karantinë së paku 14 ditë.
Përpos kësaj anije, janë edhe 2 anije të tjera në Azi të cilat kanë ndërprerë udhëtimin e tyre për shkak të shpërthimit të koronavirusit. Njëra është ankoruar në Hong Kong, nën karantinë, ndërkohë që zyrtarët po përpiqen që të ndalojnë përhapjen e virusit.
Ndërsa anija tjetër ndodhet në detin e Kinës Lindore, por nuk ka mundur të ankorohet për shkak të frikës së infektimit me koronavirus.