Tronditese, 27-vjeçari humb jetën pas shtytjes nga ballkoni
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në zonën Monteverde të Romës, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën pasi ra nga kati i tretë i një strukture turistike. Sipas hetimeve paraprake, viktima Leonardo Fiorini dyshohet se është shtyrë gjatë një konflikti me shokun e dhomës, David Stojanovic, 25 vjeç, me origjinë italo-shqiptare.
Të rinjtë, të dy nga Isola del Liri, kishin disa ditë që qëndronin në një dhomë të marrë me qira. Sipas dëshmive të fqinjëve, mes tyre kishte shpërthyer një debat i ashpër që më pas u zhvendos në ballkon. Gjatë përplasjes fizike, Stojanovic dyshohet se ka shtyrë Fiorinin, i cili ra nga një lartësi prej rreth 12 metrash dhe ndërroi jetë në vend.
Karabinierët gjetën Stojanovic ende në apartament, në gjendje të rënduar psikofizike, dyshohet pas përdorimit të substancave narkotike. Në dhomë u gjet edhe një sasi hashashi.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve të urgjencës, për Fiorinin nuk pati asnjë mundësi shpëtimi.
Stojanovic u shoqërua menjëherë në komisariat dhe, pas marrjes në pyetje, prokurori urdhëroi arrestimin e tij për vrasje. Aktualisht ai ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa pritet seanca e konfirmimit të masës para gjyqtarit.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të sqaruar motivet e konfliktit dhe dinamikën e saktë të ngjarjes tragjike. Partneret e të rinjve nuk ndodheshin në vendngjarje në momentin e ngjarjes.
KOHA JONË SONDAZH

