Tronditet Vatikani, Papës i dërgojnë një zarf me tre plumba
Në Vatikan nuk ka qetësi. Policia italiane ka nisur hetimet pas kërcënimit në adresë të Papa Françeskut. Hetimet kanë nisur pasi autoritet hetimore në Milano kanë konfirmuar se një zarf me tre plumba ishte dërguar në Vatikan. Paketa e dyshimtë u kapa nga stafi para se të arrinte tek Papa dhe ishte dërguar nga Franca.
Në zarf, adresa ishte e shkruar me shkrim dore “Papa, Qyteti i Vatikanit, Sheshi i Shën Pjetrit, Romë”. Sipas policisë italiane, tre plumbat supozohet të jenë për një pistoletë dhe zarfi gjithashtu përmbante një mesazh në lidhje me operacionet bankare dhe korrupsionin e mundshëm.
Ngjarja vjen pas një periudhe të vështirë për 84-vjeçarin. Në korrik, ai kaloi 10 ditë në spital pasi hoqi gjysmën e zorrës së trashë në një operacion të paracaktuar. Po ashtu Papa ka pushuar nga disa detyra zyrtare pasi ka kaluar trajtimin e tij të parë të madh mjekësor që kur u bë Papë në 2013.