Tronditi politikën, vdekja misterioze e gazetares. Postimi i sotëm…
Një bombë në makinën ”Peugeot 108” i mori jetën sot gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, e njohur për investigimin e fundit “Malta Files”. Aty u zbulonte se vendi i saj ishte kthyer në strehën e evazionit fiskal të shumë personazhe publikë në Bashkimin Europian. E martuar prej vitit 1985 me Peter Caruana Galizia ajo kishte tre fëmijë dhe banonte në Bidnija, ndërsa ishte diplomuar për arkeologji në Universitetin e Maltës.
Caruana Galizia po hetonte skandalet e korrupsionit që përfshinin, ndër të tjera, edhe bashkëshorten e kryeministrit Joseph Muscat, e cila ishte implikuar në Panama Papers. Kryeministri laburist gjithmonë i mohoi akuzat karshi tij dhe familjarëve, por gazetarja ishte e famshme sepse edhe në të shkuarën ka hedhur dritë mbi skandale politike dhe financiare që ndodhnin në ishull.
Caruana Galizia e nisi karrierën e saj në vitin 1987 në rubrikën e fundjavës në “Times of Malta” për t’u bërë më pas bashkëdrejtuese e “Malta Independent”. Gjithashtu ka drejtuar revistën “Taste&Flair”. U bë e famshme për blogun e saj “Running Commentary”, ku shkrimet merrnin gjithnjë vëmendjen e publikut.
Postimi i saj i fundit ishte sot në orën 14:35 dhe kishte të bënte me dëshminë e liderit të opozitës Simon Busuttil në gjyqin kundër Keith Schembri, shef i kabinetit të kryeministrit Muscat, emri i të cilit u gjet në shumë dokumente të Panama Papers.
KOHA JONË SONDAZH

