Trump bisedë telefonike për krizën COVID-19 me Biden: Ishte mjaft miqësore
Presidenti Donald Trump tha se kishte patur një telefonatë “shumë miqësore” me ish nënpresidentin Joe Biden të hënën. Kërkesa ishte bërë nga zoti Biden, kandidati kryesor demokrat për president për të diskutuar rreth mënyrës se si qeveria po e trajton krizën e koronavirusit.
Presidenti Trump tha se biseda zgjati rreth 15 minuta.
“Patëm një bisedë vërtet të mrekullueshme, të ngrohtë”, tha Presidenti Trump gjatë konferencës së tij për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. “Ai më shpjegoi pikëpamjen e tij, unë e kuptova plotësisht këtë, dhe ne thjesht patëm një bisedë mjaft miqësore,” tha ai.
Biden, i cili po kërkon emërimin e partisë së tij për t’u përballur me zotin Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit, paraqiti disa sugjerime për veprimet që mund të ndërmarrë administrata për të trajtuar pandeminë e koronavirusit,” tha zëvendësdrejtorja e fushatës së zotit Biden, Kate
Bedingfield, në një deklaratë mbi këtë bisedë të pazakontë midis rivalëve për Shtëpinë e Bardhë. Ajo tha se ishte “një telefonatë e mirë”.
Kandidati Biden ka bërë kritika gati të përditshme për trajtimin nga presidenti të krizës së koronavirusit në intervista dhe fjalime të fushatës.
Ish nënpresidenti ka thënë se zoti Trump duhet të veprojë më me urgjencë për të përdorur burimet e qeverisë federale për të ndihmuar guvernatorët e shteteve, përfshirë përdorimin e autoritetit presidencial për të fuqizuar prodhimin në vend të pajisjeve mjekësore që mungojnë.