Trump emëron ambasadorin në Moskë, kush do jetë diplomati më i lartë amerikan në Rusi
Presidenti amerikan Donald Trump tha të premten se do të emërojë zëvendës sekretarin amerikan të Shtetit John Sullivan në postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuaranë Rusi. Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Sullivan do të jetë diplomati më i lartë amerikan në Rusi, në një kohë veçanërisht sfiduese për administratën e Presidentit Trump.
Ky i fundit po përballet me një hetim për ngritjen e akuzave për shkarkimin e tij për shkak të dyshimeve se ka ushtruar presion ndaj Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy për të hetuar kundërshtarin e tij politik, ish-nënpresidentin Joe Biden.
Presidenti Trump kishte thënë në muajin gusht se po shqyrtonte emrin e zotit Sullivan për postin e ambasadorit në Moskë. Emri i tij u lakua edhe për postin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Presidentit, një detyrë që iu dha ish-të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara për çështjen e pengjeve Robert O’Brien.
Zoti Sullivan do të zëvendësojë ish-ambasadorin John Huntsman, i cili dha dorëheqjen në muajin gusht pas dy vitesh në këtë detyrë, mes spekulimesh se do të kandidojë për postin e guvernatorit të shtetit të Jutas. Zoti Sullivan ka qenë një diplomat karriereqë nga viti 1990. Ai ka shërbyer në poste të ndryshme përfshirë misionet diplomatike amerikane në Ukrainë, Bashkimin Evropian, Korenë e Jugut dhe Honduras.Moska ka qenë në qendër të kritikave të Uashingtonit pasi agjencitë amerikane të zbulimit arritën në përfundimin se Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Rusiaika hedhur poshtë këto akuza.