Trump: Lufta në Siri s’na intereson
Uashingtoni nuk është i interesuar për t’u përfshirë ushtarakisht në konfliktin që rebelët kurdë dhe Turqia po zhvillojnë në Sirinë veriore.
Beteja mes palëve është cilësuar si pushtim nga Bashkimi Evropian, ndërkohë që bilanci i viktimave brenda tri ditëve po afron në 300.
Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se nuk duan të jenë më palë e betejës mes forcave kurde dhe turke në Siri.
Operacioni turk “Pranvera e Paqes” që ka hyrë në ditën e tretë dhe deri tani ka lënë mbi 10 civilë e rreth 280 luftëtarë kurdë të vrarë, ka detyruar dhjetëra mijëra qytetarë të braktisin banesat dhe qytetet.
“Jam munduar ta shmang këtë konflikt që kurdët dhe Turqia e vijojnë prej tri dekadash, por tani është koha të tërhiqemi nga këto luftëra qesharake pa fund. Do luftojmë atje ku na intereson dhe vetëm për të fituar. Turqia, Evropa, Siria, Irani, Iraku, Rusia dhe kurdët duhet ta zgjidhin vetë situatën dhe se si do veprojnë me luftëtarët e kapur të ISIS që kanë në lagjet e tyre,” reagoi presidenti amerikan Donald Trump në Twitter.
Bashkimi Evropian dhe kongresmenë republikanë në SHBA po vlerësojnë ndëshkimin e Turqisë me sanksione, pasi vendi sipas tyre po vepron si pushtues duke sulmuar edhe zonat e banuara me popullsi kurde.
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdoan, pretendon se marrja nën kontroll e një korridori prej 30 kilometra në brendësi të Sirisë do mundësonte ngritjen e kampeve për refugjatë që tani strehohen nga Ankaraja.
Kryeshtetari turk ashpërsoi gjuhën të enjten duke kërcënuar me vërshimin e 3,6 milionë refugjatëve të vet në portat e Bashkimit Evropian nëse ky i fundit vijon t’i referohet Turqisë si pushtues.
Intensifikimi i konfliktit mes forcave kurde dhe atyre turke po dënohet ndërkombëtarisht, ndërsa vijon apeli për vetëpërmbajtje dhe dialog për të dyja palët.