Trump njofton emërimin e Christopher Wray në krye të FBI-së
Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se do të emëronte Christopher A. Wray në krye të policisë federale (FBI), në vend të James Comey, i shkarkuar në fillim të muajit maj, ndërkohë që po hetonte për ndërhyrjen ruse të dyshuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Wray është një avokat në kompaninë “King and Spalding” dhe është gjithashtu një ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë.
“Do të emëroj Christophe A. Wray, një njeri me karrierë të shkëlqyer, për t’u bërë drejtori i ri i FBI”, theksoi në një mesazh në rrjetin social Twitter Donald Trump.
Christopher Wray është një veteran i Drejtësisë amerikane. Ai ka qenë i ngarkuar nga viti 2003 deri në vitin 2005 me divizionin kriminal, një prej posteve më të rëndësishëm të Departamentit amerikan të Drejtësisë, sipas biografisë së kabinetit të avokatëve për të cilët punon.
Ky post në Departamentin e Drejtësisë i ka mundësuar të punonte ngushtë me FBI, që do të drejtojë.
Sipas kësaj biografie, Wray ka pasur një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e veprimeve ligjore dhe operacionale në luftën kundër terrorizmit.
Wray është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Yale në vitin 1992 ku ai ishte gjithashtu kryeredaktor i “Yale Law Journal”, një post shumë prestigjioz rezervuar për elitën e juristëve.
Ky emërim, që do të miratohet nga Senati, ndodh një ditë para seancës dëgjimore nga një komision parlamentar të James Comeyt, konsideruar si vendimtar.
KOHA JONË SONDAZH

