Trump paralajmëron Iranin kundër sulmeve ndaj personelit amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin kundër çdo sulmi ndaj personelit ushtarak ose diplomatik amerikan në Irak.

Deklarata e presidentit Trump vjen disa ditë pasi milicia e dyshuar iraniane, e mbështetur nga Irani, nisi një breshëri raketash në Ambasadën e SHBA-së në Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit.

Paralajmërimi erdhi pasi zyrtarë të lartë të sigurimit kombëtar të SHBA-së u takuan për të përgatitur një varg opsionesh për t’i propozuar presidentit në mënyrë që të parandalonte çdo sulm ndaj interesave të SHBA-së në Irak.

I ashtuquajturi komiteti kryesor, që përfshin Sekretarin e Përkohshëm të Mbrojtjes, Chris Miller, Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo dhe Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien u takuan në Shtëpinë e Bardhë, njoftoi Reuters, duke cituar një zyrtar anonim.

Për javë të tëra, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Irani ose milicia aleate irakiane mund të kryejë sulme hakmarrëse për të shënuar përvjetorin e parë të sulmit me dron amerikan, nga i cili u vrau gjenerali i lartë i Iranit, Qasem Soleimani dhe udhëheqës tjerë të milicisë irakiane, jashtë aeroportit të Bagdadit, më 3 janar 2020.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë kishte për qëllim “të shqyrtonte një sërë opsionesh të duhura që ne mund t’i paraqisnim Presidentit për t’u siguruar që po frenojmë iranianët në Irak nga kryerja e sulmeve ndaj personelit tonë”, tha një zyrtar i lartë i administratës për Reuters.

Pas takimit, Trump shkoi në Twitter: “Ambasada jonë në Bagdad u godit të dielën nga disa raketa. Tre raketa nuk arritën që të lëshohen. Merrni me mend se nga ishin: Irani”, shkroi Trump.

“Disa këshilla miqësore shëndetësore për Iranin: Nëse një amerikan vritet, unë do ta konsideroj Iranin përgjegjës. Mendoni mirë.”, shtoi Trump.

Ministri i jashtëm i Iranit hodhi poshtë pretendimet e Trumpit se Irani ishte pas sulmit të fundit me raketa.

“Vënia e qytetarëve tuaj në rrezik jashtë vendit nuk do të largojë vëmendjen nga dështimet katastrofike në vend”, tha ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zarif, në Tëitter.

Zhvillimet në Irak ndodhën derisa Trump po rrit presionin mbi Iranin para një tranzicioni të pushtetit tek presidenti i zgjedhur, Joe Biden, i cili ka thënë se do të përpiqet të ringjallë diplomacinë me Iranin.

Diplomatët perëndimorë dhe raportet e mediave kanë sugjeruar që Irani u ka thënë grupeve aleate në Irak që të shmangin provokimin ndaj Shteteve të Bashkuara në javët e fundit të administratës Trump nga shqetësimi se situata mund të përshkallëzohet para se administrata Biden të vijë në pushtet.

Por, ka edhe pyetje se sa kontroll të drejtpërdrejtë operacional ushtron Irani mbi grupet e milicive irakiane.

“Unë besoj se mbetemi në një periudhë rreziku të shtuar”, tha kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, gjenerali, Kenneth McKenzie, për ABC News më 22 dhjetor./ REL

SHKARKO APP