Trump pritet të vendosë tarifa doganore 107% për makaronat italiane
Një goditje e fortë po i afrohet industrisë italiane të makaronave. Departamenti Amerikan i Tregtisë ka njoftuar rritjen e tarifave doganore ndaj produkteve italiane, duke propozuar një tarifë shtesë prej 91.74%, përveç asaj ekzistuese prej 15%. Kjo do ta çonte barrën totale tatimore në rreth 107%, duke filluar nga janari i ardhshëm.
Vendimi erdhi pas një hetimi për “dumping”, pra shitje nën kosto, ndaj kompanive La Molisana dhe Garofalo, të cilat janë marrë si përfaqësuese të industrisë në analizë. Sipas dokumentit të publikuar nga autoritetet amerikane, të dyja kompanitë akuzohen për çmime nën vlerën e tregut, ndërsa e njëjta tarifë është shtrirë edhe ndaj dhjetëra eksportuesve të tjerë italianë.
Në listën e kompanive të prekura përfshihen Agritalia, Barilla, Rummo, Pastificio Liguori, Pastificio Cocco, Sgambaro, Tamma dhe të tjera.
Ekspertët italianë e kanë cilësuar masën si “të paprecedentë”. Luigi Scordamaglia, CEO i Filiera Italia, u shpreh se kjo qasje “kthen një masë ndëshkuese ndaj dy kompanive në një sanksion kolektiv absurd, që dëmton gjithë zinxhirin e prodhimit italian”.
Sipas tij, tarifa mbi 90% mund të bllokojë praktikisht eksportet italiane të makaronave drejt SHBA-së duke i bërë produktet “jokonkurruese”. Ai paralajmëroi se masa mund të përfitojë vetëm disa kompani që tashmë prodhojnë brenda SHBA-së, si Barilla, apo të tjerë që kanë zhvendosur prodhimin jashtë Italisë.
Kjo është hera e parë që një hetim i tillë përfundon me një nivel tarifash kaq të lartë. Në vitet e kaluara, hetime të ngjashme kishin përfunduar me tarifa minimale — nga 0% deri në 0.5%.
Industria italiane e makaronave e ka cilësuar vendimin si “një përshkallëzim të panevojshëm të luftës tregtare” që rrezikon një nga produktet më përfaqësuese të kuzhinës italiane në tregun ndërkombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

