Trump: Qëllojini emigrantët në këmbë

Ndërtimi i një barriere kufitare me Meksikën dhe adresimi i emigracionit të paligjshëm mbetet një sfidë madhore e presidentit Donald Trump.

Gazeta amerikane, “New York Times” pretendon me një libër të ri se Shtëpia e Bardhë pak muaj më parë ka sugjeruar metoda ekstreme për të arritur objektivat.

Në një takim privat me zyrtarë të mbrojtjes dhe kufijve, Trump kërkoi ngritjen e një brezi të elektrifikuar me tela me gjemba, si edhe krijimin e një pellgu me gjarpërinj dhe krokodilë për të ndalur refugjatët.

Autorët e librit, “Luftërat e Kufijve: Sulmi i Trump-it ndaj Emigracionit”, pretendojnë se shefi i zyrës ovale ushtroi presion edhe për ashpërsimin e masave ushtarake.

Ideja e presidentit për të qëlluar në këmbë të gjithë ata të cilët kalojnë pa leje kufirin amerikan, u konsiderua e paligjshme nga të pranishmit.

Trump në takimin e marsit kritikoi zyrtarët se çështja e emigrantëve ishte një premtim i tij elektoral që ata po e komprometonin, duke shpërthyer në një moment edhe me fjalë të pahijshme.

Deri tani në kufirin jugor të Amerikës raportohen të jenë ndaluar mbi 800 mijë persona.

Shumë prej tyre braktisnin vendet e Amerikës Qendrore për shkak të varfërisë apo dhunës.

Situata megjithatë është përmirësuar muajt e fundit, me hyrjen në fuqi të një marrëveshjeje bashkëpunimi 3-mujore mes SHBA-së dhe Meksikës.

Ndërkaq vijon paralelisht edhe ndërtimi i murit kufitar 2 mijë milje i gjatë mes dy fqinjëve, i cili pritet të kushtojë palës amerikane mbi 20 miliardë dollarë.

/Ora News

SHKARKO APP