Trump: Racizmi është një e keqe, shkelësit e ligjit do jenë përgjegjës
Presidenti i SHBA Donald Trump ka dënuar racizmin dhe është shprehur se drejtësia do të veprojë mbi ata që shkelën ligjin. Deklarata erdhi pas kritikave që shoqëruan komentin e presidentit pas dhunës së shfaqur në protestën e Virxhinias ku humbi jetën një 32-vjecare. Trump garantoi qytetarët se fëmijët e tyre do të rriten në një shoqëri pa dhunë.
Pas kritikave se nuk dënoi grupet e supremacisë së bardhë, pas protestave në Virxhinia ku mbeti e vrarë një protestuese, presidenti i ShBA-së Donald Trump, në një deklaratë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, dënoi dhunën raciste dhe garantoi se drejtësia do të veprojë për ata që shkelën ligjin. Duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës, Trump tha se ShBA gjithmonë ka treguar vizionin e bashkimit dhe se është kundër dhunës.
“SHBA ka treguar gjithmonë karakterin e saj të vërtetë – duke iu përgjigjur urrejtjes me dashuri, ndarje me unitet dhe dhunës me një vendosmëri të palëkundur për drejtësi. Pa marrë parasysh ngjyrën e lëkurës sonë ne të gjithë jetojmë nën të njëjtat ligje dhe drejtësia do të veprojë për ata që kanë shkelur ligjin,” tha Trump, duke nënvizuar se racizmi nuk ka vend në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti tha se Kushtetuta është e barabartë për të gjithë dhe garantoi qytetarët amerikanë se fëmijët e tyre do të rriten në një shoqëri pa dhunë.
Ndërkohë, në reagimin fillestar ndaj dhunës që shoqëroi protestat në Sharlotsvill, ku u përballën demonstrues të ekstremit të djathtë me një grup anti-protestuesish, Trump nuk veçoi supremacistët e bardhë, edhe pse e dënoi dhunën.
“Dënojmë me termat më të forta të mundshme këtë shpalosje të neveritshme të urrejtjes,paragjykimeve dhe dhunës nga shumë palë,” reagoi presidenti.
Në protestën që u mbajt në Sharlosvill të Virxhinia një makinë goditi qëllimisht turmën, duke lënë të vrarë një protestuese 32 vjeccare dhe duke plagosur më shumë se 20 të tjerë. Ndërkohë, departamenti amerikan i Drejtësisë ka hapur tashmë një hetim të të drejtave civile për vdekjen e saj.
KOHA JONË SONDAZH

