”Turizmi i lindjes” përballet me kufizime të reja nga Departamenti Amerikan i Shtetit!

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka vendosur disa kufizime të reja përsa i përket vizave që synojnë kufizimin e “turizmit të lindjes”, në të cilën gratë udhëtojnë në SHBA për të lindur, në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë pasaportën aq shumë të lakmuar amerikane. Aplikantët për vizë që konsiderohen nga oficerët konsullorë se po vijnë në Shtetet e Bashkuara kryesisht për të lindur, tani do të trajtohen si të huajt e tjerë që vijnë për trajtim mjekësor, sipas udhëzimeve të Departamentit të Shtetit. Të gjithë ata persona që dëshirojnë të udhëtojnë drejtë ‘Tokës së Premtuar’’ do të duhet të dëshmojnë se po vijnë për trajtim mjekësor dhe se ata kanë para për të paguar atë.

Departamenti i Shtetit planifikoi të publikojë rregullat e reja të enjten, ndërsa ky vendim do të hyjë në fuqi të Premten.

Praktika e ardhjes në SHBA për të lindur është thelbësisht e ligjshme, megjithëse ka raste kur autoritetet kanë arrestuar operatorët e agjencive të turizmit të lindjes për mashtrim të vizave ose evazion fiskal. Administrata Trump ka qenë duke kufizuar të gjitha format e imigracionit, por presidenti ka qenë veçanërisht i mërzitur nga çështja e shtetësisë së të drejtës së lindjes, pasi kushdo që ka lindur në Shtetet e Bashkuara konsiderohet qytetar amerikan, sipas Kushtetutës.

Sipas zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, oficerët  konsullorë nuk duhet të pyesin gjatë intervistave për vizë, nëse një grua është shtatzënë ose ka ndërmend të bëhet e tillë. Por ata do të duhet të përcaktojnë nëse një aplikant për vizë do të vinte në SHBA kryesisht për të lindur.

Edhe pse ‘turizmi i lindjes’ është një biznes fitimprurës si në SHBA ashtu edhe jashtë saj, ende nuk ka shifra se sa gra të huaja udhëtojnë në SHBA posaçërisht për të lindur. Qendra për Studime të Emigracionit, një grup që mbron me ligje të rrepta imigracionin, ka raportuar se në vitin 2012, rreth 36,000 gra të ardhura nga jashtë lindën në SHBA, dhe më pas janë larguar nga vendi.

/ SCAN

SHKARKO APP