Turqi-Greqi/Acarohet situata, rritet prania ushtarake në kufi

Situata mes Turqisë dhe Greqisë është tensionuar. Athina po e forcon praninë ushtarake në kufirin e lumit Evro. Në këtë zonë ka kohë që gjendja po agravon. Thanasis Kamilaris është peshkatar dhe e njeh mirë deltën e Evros. Këtu lumi mes Turqisë dhe Greqisë derdhet në veri të detit Egje. Delta e lumit kufitar ka rëndësi të madhe për florën dhe faunën me një sipërfaqe prej gjithsej 200 km katrorë. Rrjeti i kanaleve, lumenjve anësorë dhe lagunave është i vështirë të kontrollohet. Edhe për këtë arsye Ministria e Mbrojtjes ka kërkuar mbështetjen e peshkatarëve të zonës, që po pajisen prej ushtrisë duke u kthyer në si të thuash “gardistë kombëtarë” dhe po marrin funksionin e rojeve të kufirit. Por gradualisht situata po ndërlikohet për Thanasis Kamilaris dhe kolegët e tij.

Atakime nga Turqia?

Vazhdimisht ndodhin konflikte mes ushtarëve turq të kufirit dhe peshkatarëve grekë. “Ata na kërcënojnë ne edhe në territorin shtetëror grek”, thotë Kamilaris: “Unë isha në lumë dhe desha të hedh rrjetat e mia të peshkimit. Më erdhën ushtarët turq nga ana tjetër. Ata menjëherë më vunë në shënjestër me armë dhe më thanë: Këtu është Turqi. Por unë isha i sigurtë që ndodhesha 100 metra larg kufirit”.

Një peshkatar tjetër ata e kanë arrestuar dhe i konfiskuan barkën, thotë kolegu Vasilis Vitsas: “Për turqit ky është biznes. Për të fituar sërish lirinë, duhet të paguash 5.000 Euro. Në rast të kundërt të mbajnë në burg për një gjysmë viti. Kolegut tonë iu desh të paguajë edhe 4.000 Euro për një avokat, që të ndiqte procesin në një gjykatë turke që t’i rikthehej mjeti i peshkimit.” Por për raste të tilla askush nuk flet, madje as në media nuk raportohet.

“E gjitha nisi që nga dita e tentativës për puç në Turqi”, kujton Kamilaris. Përpara nuk ka pasur asnjë problem. “Turqit vinin dhe peshkonin edhe ne peshkonim, çdo gjë ishte në rregull. Madje ne bisedonim me njeri-tjetrin. Me njerëzit matanë kufirit nuk kemi asnjë problem. Madje ushtarët na përshëndesnin.” Por me tensionet në politikën e brendëshme në Turqi filluan edhe tensionet në deltën e Evros.

“Ne jemi syri i ushtrisë”

Peshkatarët ndihen të lënë vetëm: “Nëse nuk do të ishim ne këtu, atëherë e gjithë kjo zonë prje kohësh do të ishte bërë turke”, mendon Vasilis Vitsas. Vetëm kur policia greke dhe ushtria patrullojnë bashkarisht, ushtarët turq të kufirit i lenë ata të qetë. Por kjo nuk mjafton, vëren Thanasis Kamilaris: “Ne peshkatarët jemi syri i ushtrisë dhe i policisë. Ne përpiqemi me çdo mënyrë që ta ruajmë zonën greke në këtë pjesë të lumit.” Peshkatarët e Evros shpresojnë tani për ndihma nga Athina.

Qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis i fitoi zgjedhjet e parakohshme në korrik të vitit të kaluar ndër të tjera duke premtuar, se do të rrisë masat e sigurisë në vend. Pjesë e këtij plani është edhe kufizimi i numrit të refugjatëve në kufijtë e vendit mes Greqisë dhe Turqisë.

Me patrullat e përbashkëta të policisë dhe të ushtrisë qeveria që nga dhjetori përpiqet „ta mbyllë” kufirin turko-grek dhe të ndalë numrin në rritje të refugjatëve. 400 roje kufitare do të dërgohen shtesë në Evros. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis thekson, se masat ushtarake po merren për shkak të refugjatëve. Por refugjatët vijnë që nga vitet 1990 dhe sipas të dhënave të peshkatarëve numri i tyre në deltën e Evros gjatë viteve të fundit është në rënie.

Periudhë e akullt mes Athinës dhe Ankarasë

Përforcimi i pranisë ushtarake në kufi ndodh në një kohë, kur marrëdhëniet mes Athinës dhe Ankarasë kanë rënë në një pikë të thellë krize. Grindja për gazin natyror para brigjeve të Qipros dhe veprimi i mëvetësishëm i Ankarasë me Libinë e përkeqësojnë edhe më shumë atmosferën e këtyre marrëdhënieve. Vazhdimisht në kufirin turko-grek ndodhin incidente. Disa herë në ditë aviacioni turk depërton në territorin grek. Natën e tentativës për puç tetë oficerë u arratisën nga Turqia dhe kërkuan azil në Greqi. Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan i kërkoi qeverisë greke ekstradimin e tetë oficerëve. Gjykata supreme në Athinë refuzoi, sepse në Turqi atyre nuk mund t’u garantohet një proces korrekt.

Në shkurt 2018 pati një përshkallëzim të mëtejshëm kur dy ushtarë grekë gjatë një patrullimi në afërsi të zonës kufitare Kastanies u arrestuan prej ushtarëve turq, sepse kishin kaluar një pikë të shënuar disa metra brenda kufirit në territroin turk. Mbi pesë muaj ushtarët u mbajtën në burg në Turqi në dyshimin për spiunazh, ndërsa qeveria turke bënte të qartë, se ishte e interesuar për shkëmbimin e ushtarëve me oficerët turq të arratisur në Greqi.

Shumë druajnë se mund të ketë një përshkallëzim me Turqinë, e madje eventualisht edhe ushtarakisht. Sotiris Serbos, profesor për politikën ndërkombëtare në Universitetin e Trakës mendon se përgjegjësia është kryesisht e presidenti turk Erdogan. “Nëse Ankaraja pret të ketë avantazhe prej ashpërsimit të konfliktit, atëherë ajo do ta nxisë vetë atë. Vetëdija e Erdoganit është forcuar edhe më shumë pas angazhimit turk në Siri. Presidenti turk do të luajë me kartën gjeopolitike për aq kohë, sa ai të arrijë një konsensus në politikën transatlantike. Europa duhet të kuptojë një gjë: “Ka shumë probleme dhe përçarje në Turqi, por nacionalizmi e bashkon këtë vend e po ashtu edhe ushtria.”

Serbos tensionet mes Ankarasë dhe Athinës i konsideron edhe si pasojë e një politike europiane, në të cilën nuk flitet me një zë: “Ne na duhet një Europë, që të mendojë në kategori gjeopolitke dhe Turqia duhet të integrohet si partnere. Duhet të gjenden zgjidhje, prej të cilave të përfitojnë të dyja palët. Greqia mund të luajë një rol kyç duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së.” Konfliktet e brendshme europiane, në të cilat vihen në plan të parë interesat shtetërore të vendeve të veçanta, e bëjnë të pamundur një strategji të përbashkët në raport me Turqinë. “Erdogani do të preferonte një kompromis bilateral. Europa duhet ta përcaktojë në këtë drejtim agjendën dhe jo Turqia”. /DW/

SHKARKO APP