Turqi, letër nga Burgu i Silivrisë: Për “Liri”

Nga Shahin Allpaj*

(Gazetar i burgusur)

Ndiej keqardhje për këdo që nuk u solidarizua me ne, pavarësisht se e di që janë të vetëdijshëm për pafajësinë tonë. Megjithatë, mjafton që të jenë të vetëdijshëm që ndaj nesh po bëhet padrejtësi.

Swiss Digital Desktop Reklama

Që në krye, më lejoni të saktësoj që kjo letër nga burgu, është një përgjigje ndaj shqetësimeve të vazhdueshme të miqve dhe lexuesve të mi besnikë. Pavarësisht se kanë kaluar rreth 14 muaj nga arrestimi im dhe i kolegëve të mi, të gjithëve na është ndaluar që të komunikojmë përmes letrave me familjarët, kolegët dhe miqtë tanë; pra nuk na lejohet kategorikisht të shkruajmë apo të marrim letra nga jashtë. Kjo është e para dhe e vetmja mundësi.

Swiss Digital Mobile Reklama

Pikësëpari më lejoni të nënvizoj një fakt; sikundër dhe jeni njohur përmes medias me dëshminë time para trupit gjykues, pavarësisht pafajësisë time dhe përkundër faktit që nuk kam shkelur asnjë ligj, pretenca ka kërkuar 3 dënime me burgim të përjetshëm dhe 15 vite burg. Megjithatë, jam i bindur dhe nuk kam as më të voglin dyshim se në fund do të shpallem i pafajshëm për akuzat e ngritura ndaj meje. Mirëpo, nuk e di dhe sa kohë të vazhdoj të mbahem padrejtësisht në paraburgim. Kam qenë një nga mbështetësit e hershëm të Partisë për Drejtësisë dhe Zhvillim, sa kohë ka ecur në rrugën e reformave dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe kam kritikuar qëndrimin e saj politik në momentin kur ajo ndryshoi qasjen dhe diskursin e saj politik, duke u shndërruar dalëngadalë në një parti autoritare nën diktatin e një individi. Jam burgosur dhe mbahem në paraburgim thjesht dhe vetëm për faktin se kam kritikuar qeverinë dhe politikat e saj. Që nga viti 1982, vit kur kam filluar të shkruaj në media të ndryshme dhe deri më sot, nuk jam përballur me asnjë akuzë dhe ndaj meje nuk është ndërmarrë asnjë masë si rrjedhojë e qëndrimeve dhe pozicionimit tim në shkrimet e publikuara në media dhe ligjëratat e ndryshme. Përherë kam patur besimin e patundur se liria e shprehjes dhe e fjalës është një e drejtë e patjetërsueshme e mbrojtur nga Kushtetura e Republikës së Turqisë dhe Karta Europiane për të Drejtat e Njeriut. Por, me keqardhje më duhet të pranoj se e gjitha kjo paskësh qenë thjesht një iluzion.

Jam 73 vjeç dhe ndonëse vuaj nga disa sëmundje kronike, prej 14 muajsh mbahem në paraburgim, larg bashkëshortes time, fëmijëve, nipërve dhe mbesave, të afërmve dhe miqve të mi. Në këtë moshë dhe në mungesë të kujdesit të domosdoshëm shëndetësor, nuk është aspak e lehtë për mua që bashkë me 3 bashkëvuajtës të tjerë, të ndaj një qeli të vogël. Dhe sigurisht, pa e ditur dhe sa kohë do të mbahem në paraburgim, çka e vështirëson akoma më shumë gjendjen time. Ngushëllohem me faktin që gjithmonë shkrimet dhe ligjëratat e mia kanë qenë në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, dhe kjo që po përjetoj është kostoja që më duhet të paguaj për qëndrimet e mia të vazhdueshme në mbështetje të demokracisë. Por, nga ana tjetër, me pikëllon fakti se pavarësisht se gjithmonë jam pozivcionuar në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit të së drejtës, atdheu im, përpjekjet e mia po m’i shpërblen duke më burgosur padrejtësisht. Më pikëllon dhe fakti, që bashkë me mua, dhjetëra dhe mijëra persona të tjerë po përballen më të njëjtat padrejtësi, duke u burgosur dhe surgjynosur apo duke u pushuar padrejtësisht nga vendet e tyre të punës dhe po vuajnë padrejtësi nga më të ndryshmet. Siç dhe e kam theksuar edhe më parë, menjëherë pas ngjarjeve të tentativës së grushtit të shtetit, e ripërsëris që dënoj me forcë tentativën apo përpjekjet e grushtit të shtetit të 15 korrikut të vitit të kaluar.

Gjatë gjithë jetës time, publikisht jam shprehur kundër të gjithë grushteve të shtetit dhe çdo përpjekje tjetër për të rrëzuar me dhunë qeveritë e zgjedhura në rrugë demokratike dhe ndërhyrjet e ushtarakëve në jetën politike të vendit. Ritheksoj dhe një herë se kushdo që rezulton i përfshirë në tentativën e grushtit të shtetit të vitit të kaluar, duhet të përballen me drejtësinë përmes një procesi të drejtë dhe të pandikuar politikisht dhe të marrin dënimin e merituar; sakaq kushdo që akuzohet padrejtësisht për lidhje të paqëna me organizatorët e tentativës së grushtit të shtetit, duhet të lirohen nga akuzat dhe të lihen të lirë. Kjo që po ndodh, është një padrejtësi që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Turqisë. Në vend, duhet të mbizotërojë sërish drejtësia dhe vendi duhet t’i kthehet shteti i së drejtës.

Aktualisht vazhdoj të mbahem në paraburgim në Silivri, në Njësinë 9, një nga burgjet e sigurisë së lartë, ku mbahen të burgosurit e akuzuar apo të dënuar për terrorizëm. Mbahem në një qeli dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i kam takuar dhe nuk i kam njohur kurrë më parë. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, më lejohet të takohem me familjarët e mi; gruan, motrën, vajzën, djalin, nipërit dhe mbesat e mia, vetëm një herë në javë, të ndarë nga xhami dhe më lejohet të flas vetëm përmes telefonit. Vetëm një herë në dy muaj, jo më shumë se një orë, më lejohet që të takohem me ta në një ambient të përbashkët. Ndërkohë, deri në seancën e parë, mund të takohem me avukatin tim vetëm një herë në javë, për vetëm një orë në prani të një zyrtari dhe në një ambient të survejuar nga kamerat.

Mund të them se burgu i Silivrit është i organizuar mirë. Nevojat e ndryshme mund t’i plotësojmë duke blerë ushqime të ndryshme nga kantina e burgut, ndërsa me raste të veçanta nevojat për ilaçe me vështirësi mund t’i plotësojmë nga konsultat periodike me doktorët. Zyrtarët e burgut, përgjithësisht sillen mirë me mua për shkak dhe të moshës time. Për shembull, sa herë që më duhet të kryej vizitat në spitalin e burgut, dy roje të burgut më vënë prangat dhe më shoqërojnë. Gjithashtu, kemi akses për të blerë gazetat e lejuara nga autoritetet dhe mund të ndjekim rreth 25 kanale televizive.

Në muajt e parë ishte e ndaluar që të merrnim libra të tjerë, përveç librave të bibliotekës së burgut, por më vonë nën kontrollin e rreptë të autoriteteve mund të siguronim dhe tituj të tjerë librash nga jashtë. Rrjedhimisht dhe biblioteka e burgut është pasuruar ndjeshëm me tituj të rinj librash të dhuruar nga të burgosurit apo të afërmit e tyre. Fatmirësisht, tashmë nuk kemi probleme për gjetjen e librave.

Në varësi të mundësive dhe lehtësirave, çdo ditë përpiqem që të bëj një ecje rreth 1 orë dhe brenda mundësive të bëj dhe aktivitete të tjera fizike për të lehtësuar sadopak problemet me sumëndjet kronike dhe të kujdesem për shëndetin tim.

Përpiqem të vlerësoj siç duhet ditët që kaloj në burg. Deri në vitet e fundit të gjimnazit kam qenë shumë i dhënë pas letërsisë dhe ëndërroja që një ditë të bëhesha shkrimtar. Më vonë, leximi i romaneve më bezdiste. Tani i jam rikthyer sërisht lëximit të romaneve dhe pa frikë mund të them se po përjetoj një pranverë të dytë pasionit tim për letërsinë dhe po plotësoj mangësitë e hershme. Sigurisht, duke mos lënë pas dore filozofinë dhe shkencat sociale.

Përgjatë viteve, për shkak të përdorimit të shpeshtë të teknologjisë, dalëngadalë pothuajse kam harruar të shkruaj me dorë dhe në pamundësi të kushteve, e kam të pamundur që të shkruaj shumë. Megjithatë, kam përgatitur materiale të ndryshme për 6 ose 7 libra. Nëse lirohem nga burgu dhe nëse do të jem mirë më shëndet, shpresoj që do t’i plotësoj, pasi e di që shumë prej miqve dhe lexuesve të mi mezi presin të lexojnë tregimet e mia. Dua që të mbaj fjalën para se të vdes.

Shumë gjerë i kam kuptuar më mirë tani gjatë periudhës që po kaloj në paraburgim. Dhe njëra prej tyre është të kuptuarit e drejtë të fesë dhe fetarizmit. Në fakt, teorikisht e kam patur të qartë, por tani e shoh më qartë dhe në nivelin praktik. Besimi është një element tejet i rëndësishëm, për t’u përballur sidomos me periudha të tilla fatkeqësish me të cilat përballet shoqëria. Të jetuarit e fëse kuptohet më mirë në praktikë, dhe të praktikuarit e fesë është po aq e rëndësishme sa feja.

Kam patur mundësinë të kuptoj qartë rrezikun e elitizmit, pra rreziqet e elitizmit në aspekte që lidhen me shtetin e së drejtës, sundimin e ligjit dhe demokracinë, por tani po përballemi dhe po mësojmë dhe pasojat dhe rrezikun e populizmit, pra vulgaritetin e njerëzve.

Ju jam mirënjohës të gjithëve; njerëzve të thjeshtë, politikanëve dhe kolegëve të mi të huaj , të cilët kanë kundërshtuar dhe dënuar arrestimin tim dhe të kolegëve të mi gazetarë dhe opinionistë. I falenderoj me zemër! Nga ana tjetër, nuk mund të mos shpreh zhgënjimin tim ndaj kujtdo që i vetëdijshëm që ndaj nesh është bërë një padrejtësi, ndonëse kanë patur mundësi të shprehin kundërshtitë e tyre, kanë zgjedhur të heshtin përballë këtyre padrejtësive. Megjithatë, mjafton të jenë të vetëdijshëm që ndaj nesh është bërë një padrejtësi e madhe.

Letrën time të parë nga burgu, dua të mbyll me rreshtat e fundit të librit të një prej mendimtareve të para liberalë të Turqisë, Halide Edip Adëvar, e cila në librin e saj të kujtimeve për “Luftën Çlirimtare” shkruan: Liria, ashtu si dashuria, duhet të fitohet çdo ditë…”.

Ju përshndes të gjithëve përzemërsisht,

Shahin Allpaj  (I burgusor)

Burgu i Sigurisë së Lartë, Silivri, Njësia 9, Blloku C3, Qelia 17

Tetor 2017

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?