Turqia, aleati më i mirë për sigurinë e Europës

Nga Mevlüt Çavuşoğlu*

Lufta me organizata terroriste si DEASH dhe menaxhimi i lëvizjeve të emigrantëve janë sfidat më të mëdha me të cilat ndodhen përballë vendet europiane. Në kuadrin e angazhimeve ndërkombëtare për të kapërcyer këto sfida, Turqia vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm.

Është Turqia vendi që mundëson menaxhimin nga Bashkimi Europian të fluksit të emigrantëve nga Siria. Vendi ynë jo vetëm ka pritur 3,5 milionë sirianë, por në të njëjtën kohë, duke penguar kalimin e rrezikshëm të tyre nga deti Egje për të mbërritur në Europën Perëndimore, ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish.

Swiss Digital Desktop Reklama

Turqia është një ndër vendet e para që e ka shpallur DEASH-in si organizatë terroriste. Ajo është anëtare edhe e Koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërsa disa vende europiane e kanë të vështirë për të kontrolluar edhe kalimin e xhihadistëve në aeroportet e këtyre vendeve, Turqia ka penguar hyrjen në territorin e saj të më shumë se 4.000 udhëtarëve të dyshuar, ka dëbuar më shumë se 6.000 terroristë, ka arrestuar më shumë se 10.000 pjesëtarë të DEASH dhe El-Kaida-s dhe ka bërë përpjekje të mëdha për mundësuar sigurinë në 911 kilometra të kufirit tokësor me Sirinë.

Ndërsa vendet e tjera të Koalicionit janë mjaftuar me një pjesëmarrje simbolike në terren, Turqia, e vetme, që prej vitit 2016 ka luftuar krahas Ushtrisë së Lirë Siriane kundër DEASH-it. Operacioni “Mburoja e Firatit, i realizuar nga ushtria turke dhe që përfundoi me çlirimin e Xherablus, El-bait dhe rajoneve përreth dhe me kthimin e qindra mijëra sirianëve qetësisht në shtëpitë e tyre, ishte një operacion i rrallë, madje i vetmi, që mund të merret shembull.

Mirë, po a mund të themi se kuptohet drejt Turqia, tek e cila europianët kanë mbështetur sigurinë e tyre? A mund të thuhet se janë transmetuar dhe vlerësuar drejt aksionet e vendit tonë? Fatkeqësisht jo.

Qëndrimi anti-Turqi që ndeshet sot në Perëndim është një pasqyrim i pjesshëm i ksenofobisë dhe i islamofobisë që ushqehen nga ekstremistët perëndimorë duke instrumentalizuar fluksin e emigrantëve. Për më tepër, disa politikanë të pandërgjegjshëm, për të kënaqur elektoratin e tyre, janë përpjekur të fshehin mesazhet kundër të huajve dhe antimyslimane nën petkun e “të qenit politikisht korrekt” ndaj integrimit të Turqisë në Bashkimin Europian.

Ky qëndrim buron edhe prej faktit se disa prej tyre kanë refuzuar të marrin seriozisht kërcënimet me të cilat është ndeshur Turqia këto vitet e fundit dhe prej akuzave plotësisht të panevojshme për gjoja autoritarizëm të liderve të saj dhe për shkelje të të drejtave individuale. Por cili vend europian mund të respektonte më

shumë këto të drejta në kushtet e aksioneve të dhunshme të organizatave terroriste si DEASH ose PKK/PYD/YPG që vunë nën kontroll rajonet kufitare, në kushtet e tentativës së përgjakshme për grusht shteti të 15 korrikut 2016 të realizuar nga Fetullah Gylen dhe organizata e tij apo përballë kërcënimeve dhe vështirësive që ndeshi Turqia si barra ekonomike dhe sociale e emigrantëve sirianë që përballohet nga taksapaguesit turq? Në të vërtetë, asnjë vend tjetër nuk mund të përballonte më mirë në të njëjtën kohë kaq vështirësi të ndryshme.

Turqia është vend themelues i Këshillit të Europës në Strasburg dhe palë në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo Konventë, ashtu si në vendet e tjera të Europës, garanton respektimin e të drejtave individuale të të gjithë shtetasve nga drejtësia turke. Për pasojë, askush nuk mund të pretendojë se këto të drejta në Turqi respektohen më pak se në ndonjë vend tjetër të Europës.

Falë vendosmërisë së saj, Turqia ka mundur të parandalojë që në territorin e saj të ketë ndonjë aksion të organizatave terroriste siç janë DEASH apo PKK/PYD/YPG. Si pasojë e përparimeve të arritura në luftën kundër organizatës terroriste të Fetullah Gylenit, do të jetë e mundur që brenda një kohe të shkurtër të hiqet gjendja e jashtëzakonshme. Edhe në Francë u deshën 719 ditë për heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Sot Turqia ka një stabilitet të përkryer politik dhe ka rritjen më të madhe ekonomike midis vendeve europiane. Turqia, e cila pret çdo vit rreth 40 milionë turistë, në të njëjtën kohë vazhdon të jetë një ndër vendet me të sigurt turistikë në botë.

Turqia bën çdo përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje politike në Siri. Përparësia e Turqisë është zhdukja e çdo lloj pranie terroriste që mund të jetë kufirin e përbashkët me Sirinë, i cili përbën edhe kufirin e Europës dhe të NATO-s me Lindjen e Mesme.

Operacioni “Dega e Ullirit” që po vazhdon në Afrin kundër PKK/PYD/YPG dhe partnerit të tyre DEASH do të vazhdojë deri në realizimin e këtij objektivi. Turqia në asnjë mënyrë nuk do të lejojë që kjo organizatë terroriste të pushtojë territorin sirian në rajonin pranë kufirit dhe do të bëjë të pamundurën t’u shpjegojë Aleatëve se sa i gabuar dhe i keq është mendimi i tyre sipas të cilit terroristët e PKK/PYD/YPG mund të përdoren si mercenarë në ashtuqujturën luftë që këto vende po zhvillojnë kundër DEASH-it.

Aleatët tanë do ta kuptojnë se Turqia është dhe do të vazhdojë të jetë aleati më i fuqishëm për sigurinë e Europës dhe të gjithë rajonit.

*Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, dhe i botuar në gazetën “Le Monde” të datës 20 mars 2018.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?