Turqia, Erdogani dhe Evropa

Agjencitë e lajmeve njoftojnë se referendumi turk pritet të miratohet. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, ndërkohë që janë numëruar mbi 97% të votave, rezulton se 51.4% kanë votuar pro referendumit që parashikon ndryshime kushtetuese që do t’i jepnin postit të presidentit kompetenca shumë të gjera.

Ende nuk ka pasur një konfirmim të rezultatit nga autoriteti i organizimit të referendumit, i cili propozoi 18 ndryshime në kushtetutën e vendit që do të shndërrojnë Turqinë nga republikë parlamentare në republikë presidenciale, duke i garantuar fuqi të zgjeruara ekzekutive presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Në Ankara, përkrahësit e Presidentit Recep Tayip Erdogan dolën në rrugë për të festuar, ndërkohë tek zyrat e Partisë AKP në Stamboll shpërthyen fishekzjarret pasi u njoftua miratimi i referendumit.

Opozita ka ngritur pretendime për parregullsi në zgjedhje dhe ka thënë se do ta kontestojë rezultatin.
Pasi votoi në Izmir, kryeministri turk Binali Yildirim tha se zhvillimi i referendumit historik do të vlerësohet, cilido të jetë rezultati.

“Sot, në çdo cep të Turqisë, në 81 provincat tona, në rrethet tona, në fshatrat tonë, qytetarët po votojnë në paqe, në vëllazëri, në një mënyrë të civilizuar. Ata po bëjnë të ditur zgjedhjen e tyre. Ne do t’i kemi rezultatet në mbrëmje, kur të mbyllen vendvotimet. Çfarëdo rezultati të jetë, ne do ta respektojmë. vendimi i kombit tonë është vendimi më i bukur” tha kryeministri turk.

Referendumi i së dielës është përshkruar si vota më e rëndësishme në historinë e Republikës.

“Ne e votuam dhe shpresojmë për të mirën e atdheut tonë, të ardhmen e vendit tonë. Ne duam që të gjithë kombi të shkojë në votime. Unë shpresoj për më të mirën për të ardhmen e popullit tonë” tha Tarik Oner, një votues.

Presidenti Erdogan, i cili votoi në Stamboll i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ka qenë në krye të fushatës për “Po”. Ai ka argumentuar se reformat do të sigurojnë stabilitetin politik dhe efiçencën në qeverisje pas grushtit të shtetit të dështuar në korrik dhe kërcënimeve të vazhdueshme nga militantët e Shtetit Islamik dhe grupit kurd kryengritës, PKK.

Zoti Erdogan ka këmbëngulur se reformat do të krijojnë një qeverisje të shpejtë dhe të efektshme që do të lejojë Turqinë të përballojë sfidat e luftës kundër terrorit dhe ekonominë e ngadalësuar.

Nëse shumica voton për ‘po’, atëherë 18 ndryshime në kushtetutën e vendit do të shndërrojnë sistemin e qeverisjes nga ai parlamentar në atë presidencial duke i siguruar fuqi të zgjeruara ekzekutive presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Vota për “po” do të eliminonte postin e kryeministrit, ndërsa ministrat do të zgjidheshin direkt nga presidenti, i cili po ashtu do të kishte autoritetin të zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë, gjysmën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të lëshojë dekrete dhe të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Reformat parashikojnë mundësinë që presidenti të ushtrojë dy mandate pesëvjeçare. Ndryshimet do të hynin në fuqi në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të caktuara për vitin 2019.

Mbështetësit thonë se ndryshimi është i nevojshëm për të adresuar sfidat me të cilat përballet vendi, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se do të sjellë një autokraci.

Më shumë se 55 milionë veta kanë të drejtë vote në vendin me 80 milionë banorë.

Fushata ishte përçarëse dhe shumë e njëanshme. Mbështetësit e ndryshimeve dominuan me reklamat gjithandej vendit. Kundërshtarët e ndryshimeve u ankuan për një atmosferë frike dhe partia kryesore opozitare regjistroi me shumë se 100 incidente që penguan fushatën e saj, përfshirë edhe rrahjet, burgosjet dhe kërcënimet.

Vota po ndodh në një periudhë kur Turqia është e goditur nga problemet. Presidenti Erdogan mbijetoi një përpjekje për grusht shteti në muajin korrik të vitit të kaluar dhe fajësoi për këtë ish aleatin e tij, klerikun Fethullah Gulen, i cili aktualisht jeton në Shtetet e Bashkuara. Gjendja e jashtëzakonshme që u vendos pas grushtit të shtetit, është ende në fuqi. Një goditje e gjerë qeveritare vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë.

Afërsisht 100 mijë veta, përfshirë gjyqtarë, mësues, akademikë, mjekë, gazetarë dhe pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore, kanë humbur vendet e punës dhe më shumë se 40 mijë janë arrestuar. Qindra media dhe organizata joqeveritare janë mbyllur.

Turqia u përball edhe me dhunën e përtëritur ndërmjet militantëve kurdë dhe forcave të sigurisë në pjesën e brishtë juglindore të vendit, sikurse edhe me një seri sulmesh me bomba, disa nga të cilat të kryera nga grupi militant Shteti Islamik, që vepron në Siri. Lufta në Siri bëri që rreth tre milionë refugjatë të kalojnë kufirin duke kërkuar strehim në Turqi. Ankaraja dërgoi trupa në Siri për të ndihmuar forcat opozitare sirianë që të pastrojnë zonën kufitare nga kërcënimet e militantëve të Shtetit Islamik.

Ndërkohë, marrëdhëniet e Turqisë më Evropën u tensionuan në vazhdimësi, posaçërisht pasi që presidenti Erdogan i cilësoi Gjermaninë dhe Holandën si “naziste”, për shkak se nuk lejuan ministrat e tij që të bëjnë fushatë në favor të referendumit me bashkatdhetarët e tyre.

Erdogan, që mori pushtetin në vitin 2003 si kryeministër dhe shërbeu në atë post derisa u bë president në vitin 2014, ka bërë përpjekje të gjata për zgjerimin e fuqive të presidentit. Rezultatet e referendumit të së dielës do të përcaktojnë ardhmërinë politike të Turqisë dhe do të ushtrojnë ndikim në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian dhe më botën./VOA

SHKARKO APP