Turqia i dërgon SHBA “dëshmi” kundër predikuesit Gülen

Udhëheqja turke e bën Fethullah Gylenin përgjegjës për përpjekjen për puç e po përgatit një kërkesë zyrtare ndaj SHBA që ai t’i dorëzohet Turqisë. Dosjet e përcjella synojnë të dëshmojnë rolin e Gylenit si organizator.

Po përgatitet një kërkesë zyrtare ndaj SHBA për dorëzimin e Gylenit, deklaroi para shtypit në Stamboll Ibrahim Kalin, zëdhënës i Presidentit Rexhep Tayyip Erdogan. Nëse SHBA do të këmbëngulin që ta mbajnë në Pensilvani Fethulla Gylenin, atëherë populli do të nisë të besojë se amerikanët “e mbrojnë predikuesin”, tha Kalin. Në fund të fundit ekziston një numër i mjaftueshëm momentesh dyshimi.

Sipas zëdhënësit të Presidentit, përpjekja e fundit për përmbysje u mbështet nga një fraksion shumë i vogël brenda ushtrisë. Por kjo nuk do ta dobësojë as luftën kundër “Shtetit Islamik”, as kundër ekstremistëve kurdë. Kalini i përshkroi forcat e armatosura si “kështjellën e fundit” të rrjetit të Gylenit.

Goditje kundër medieve të Gylenit

Në kuadër të masave shtetërore kundër Gylenit, autoriteti turk i telekomunikacionit RTÜK mbylli 24 stacione radioje dhe televizive, sepse gjoja kishin lidhje me lëvizjen e predikuesit. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të RTÜK radiostacioneve iu hoq licensa.

Qeveria e Ankarasë i ka përcjellë tashmë katër dosje SHBA për – siç u shpreh në Parlament kryeministri Binali Yildirim – “dorëzimin e kryetarit të terroristëve” Gylen. “Ne do t’u dërgojmë atyre më shumë dëshmi seç duan të kenë”, shtoi ai.

Fethullah Gyleni në emigrimin e tij në PensilvaniFethullah Gyleni në emigrimin e tij në Pensilvani

Uashingtoni deri tani e ka kundërshtuar një dorëzim të predikuesit islamik, i cili që prej vitit 1999 jeton në SHBA. Ministri i Jashtëm i SHBA, John Kerry tha se për këtë duhet të paraqiten dëshmi të qarta dhe jo të ngrihen vetëm kritika. Gyleni vetë kundërshton të jetë përfshirë në ndonjë mënyrë në përpjekjen për puç kundër Erdoganit, me të cilin më parë ai ishte aleat i ngushtë, kurse tani janë armiq të betuar.

75 vjeçari Gylen jeton në lokalitetin Saylorsburg në shtetin federal amerikan Pensilvani. Vendi në të cilin është tërhequr ai është territori i gjerë i ruajtur për 24 orë në ditë i Golden Generation Worship and Retreat Center. Ai u largua në vitin 1999 në SHBA, për t’i shpëtuar një procesi gjyqësor në Turqi, pasi qe ngritur akuza se ai po përpiqet të ndërmarrë një përmbysje islamike në vendin e tij.

SHKARKO APP