Turqia ndihmon SHBA-në me pajisje mjekësore. Niset avioni ushtarak kargo

Një avion ushtarak kargo i Turqisë është nisur nga Ankaraja për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), një ndër vendet më të prekura nga koronavirusi i ri (COVID-19), me ndihma mjekësore kundër pandemisë.

Në drejtim të udhëzimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Turqia dërgoi ndihma mjekësore, si maska kirurgjikale, mbrojtëse për fytyrën, maska N95, kominoshe mbrojtëse dhe shumë mjete mjekësore parandaluese të tjera.

Avioni ushtarak kargo A400M u ngarkua me pajisje të ndihmës mjekësore të parapërgatitura nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Shëndetësisë. Avioni u nis drejt SHBA-së nga aeroporti ushtarak Etimesgut në Ankara.

Mbi kutitë e ndihmës së dërguar ndodhen edhe mbishkrime në gjuhën turke dhe angleze me fjalë nga poeti mistik dhe dijetari Mevlana, i njohur edhe si Rumi: “Pas dëshpërimit ka shumë shpresë. Pas errësirës ka shumë diell”.

Turqia me avionët A400M të Forcave të Armatosura Turke, më parë dërgoi ndihma edhe në Itali, Spanjë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Britani dhe Somali./AA

SHKARKO APP