Turqia nuk njeh vendimin e Parlamentit Evropian
Turqia ka deklaruar se e konsideron të pavlefshëm vendimin e Parlamentit Evropian (PE) për pezullimin e negociatave të anëtarësimit. “Ky vendim, i mbështetur në pretendime dhe shpifje të pabaza, ka marrë nëpër këmbë prestigjin e institucionit në fjalë (PE). Ky vendim për ne është i pavlefshëm, nuk ka asnjë fuqi juridike”, thuhet në një komunikatë me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me vendimin e pranuar në Parlamentin Evropian për Turqinë. Ndërsa ministri i Bashkimit Evropian (BE) Omer Çelik ndaj vendimit të PE-së reagoi duke mbajtur një konferencë shtypi, ku bëri të ditur se nuk do ta pranojnë raportin e PE-së.
Parlamenti Evropian (PE) ka marrë një vendim politik. Raporti nuk është objektiv dhe nuk ka asnjë anë detyruese për ne, u shpreh Omer Çelik. “Ne nuk e pranojmë këtë raport, i cili nuk sheh se çfarë ka bërë Turqia deri më tani dhe që ka përvetësuar një qasje historike të njëanshme lidhur me çështjen armene. Ky raport nuk është një raport bashkëpunimi. Ne presim nga Parlamenti Evropian të ndërtojë ura të reja që prodhojnë bashkëpunime të përshtatshme; të nxjerrë përfundime, që krahas kritikave të sigurojnë edhe mundësi për progres. Ky raport është një raport sabotimi. Ashtu siç kemi bërë gjatë dy viteve të fundit, ne e konsiderojmë të pavlefshëm edhe këtë raport, të cilin do ta kthejmë pas pa e hapur zarfin”, tha kryenegociatori i Ankarasë me Brukselin.
“Thirrjet që bëhen nga PE-ja në këtë raport, për pezullimin e negociatave të anëtarësimit (të Turqisë në BE) në rast të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese në Turqi; për pezullimin e të gjitha fondeve të para-pranimit që jepen për Komisionin e Drejtave të Njeriut, si kusht ky për përditësimin e marrëveshjes së Bashkimit Doganor; tregojnë se sa larg është Parlamenti Evropian nga konceptimi i rëndësisë së marrëdhënieve Turqi-BE”, vazhdoi Omer Çelik. Duke iu referuar referendumit popullor që u mbajt më 16 prill në Turqi, si një proces i hapur dhe transparent dhe me një pjesëmarrje të madhe 86%, ministri turk i Integrimit Evropian tha: “Populli tha “Po” në këtë referendum. Por ajo që kërkohet nga Turqia është të injorojnë vullnetin e popullit të vet. Natyrisht që nuk do të ndodhë një diçka e tillë. Parlamenti Evropian nuk ka të drejtë të bëjë një apel të tillë. Kjo është një qasje antidemokratike. Ne i bëjmë thirrje PE-së që të respektojë vullnetin e popullit”.
KOHA JONË SONDAZH

