Turqia urdhëron arrestimin e 238 ushtarakëve, dyshohen për lidhje me Gylenin
Autoritetet turke kanë urdhëruar për arrestimin e 238 ushtarakëve, të cilët akuzohen se kanë lidhje me Fetullah Gylen. Ky i fundit akuzohet nga Ankaraja për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016.
Operacioni u zhvillua në mbi 60 provinca dhe është pjesë e shtypjes së rrjetit të klerikut që jeton në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë që Gylen e ka mohuar se ka qenë i përfshirë në tentimin për puç në korrikun e vitit 2016, kur ishin vrarë mbi 250 persona.
Mësohet se 160 persona janë arrestuar në bastisjet e fundit të policisë, për të cilat është dhënë urdhër nga prokurorët në Izmir, ndërkohë persona të dyshuar po kërkohen edhe në Qipron Veriore, ku është e vendosur ushtria turke.
Në mesin e personave të dyshuar janë 218 pjesëtarë aktivë në ushtri, përfshirë gjashtë kolonelë, tre kolonelë lejtënantë dhe nëntë majorë. Që nga përpjekja për puç më 2016, në Turqi janë arrestuar rreth 80.000 persona, ndërsa rreth 150.000 shërbyes civilë, pjesëtarë të personelit ushtarak dhe punëtorë të tjerë janë përjashtuar ose pezulluar nga puna.