U rrëzua me 62 persona në bord vetëm 4 minuta pas nisjes, sinjale për vendndodhjen e avionit indonezian
Ekipet e kërkim-shpëtimit në Indonezi shpresojnë se janë afër zbulimit të kutisë së zezë të avionit me 62 persona që u u rrëzua tragjikisht të shtunën. Trupa njerëzish, sende personale dhe copa të avionit u gjetën pas disa orëve kërkim.
Autoritetet indoneziane thonë se kanë marrë sinjale për vendndodhjen e avionit me 62 persona që u rrëzua një ditë më parë në Xhakartë.
Kërkimet në ujërat rreth kryeqytetit indonezian çuan të dielën në zbulimin e gjymtyrëve dhe rrobave të disa viktimave, përveç pjesëve që mendohet se i përkasin avionit.
“Jemi të sigurt se vendi i aksidentit është në jug të ishullit të Lakit. Vërejmë anomali në ujë, materiale e mbetje të shpërndara kudo, që me shumë gjasë janë të avionit.”
Ndërkohë, dhjetëra flotiljet dhe helikopterët që krehën zonën nuk arritën edhe pas kërkimeve të natës që të bien në gjurmët e trupit të avionit të zhytur nën ujë.
Mjeti tip “Boeing 737”, që po transportonte 40 pasagjerë të rritur, 7 fëmijë, 3 foshnja dhe 12 pjesëtarë të ekuipazhit, humbi kontaktet të shtunën katër minuta pas nisjes dhe ngjitjes në lartësinë afro 3 kilometra mbi Tokë.
Një pasagjer tjetër raportohet se e kishte humbur fluturimin sepse nuk i kishte dalë në kohë testi i kovidit-19.
“Në emër të qeverisë dhe të qytetarëve indonezianë, shpreh ngushëllimet më të thella për fatkeqësinë. Lutemi që viktimat do të gjenden,” deklaroi presidenti i vendit.
Dëshmitarët okularë thanë se e panë avionin të zhytej me shpejtësi drejt detit, dhe jehona e shpërthimit që krijoi përplasja me sipërfaqen u dëgjua pavarësisht shiut.
Moti i keq kishte detyruar edhe nisjen e tij me vonesë.
Avioni i një linje lokale kishte 26 vite në fluturim, ndërsa ngjarja u rikthye indonezianëve në kujtesë aksidentin ajror të vitit 2018, që la 189 persona të vrarë, po ashtu të zhdukur në detin që rrethon kryeqytetin indonezian.