Udhëheqësit e BE-së ndahen nga ”makineria e kompromisit”, pas 107 samitesh
Udhëheqësit europianë u ndanë sot me Angela Merkel, teksa përfunduan një samit të BE-së, i 107 i saj si kancelare e Gjermanisë në 16 vjet dhe ndoshta i fundit. Merkelit i’u dorëzua një dhuratë lamtumire, që përfaqësonte ndërtesën Europa, pikërisht aty ku mbahen samitet.
Disa liderë shfrytëzuan sot rastin për t’i thënë se sa shumë do t’i mungonte liderja e ekonomisë më të madhe të Europës, veçanërisht aftësitë e saj në diplomaci, që sollën kompromise për çështje të mprehta.
”Zonja Merkel ishte një lloj makinerie kompromisi. Shpeshherë, kur ne ngecnim, Angela shkonte dhe zgjidhte gjithçka”, u tha gazetarëve kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, teksa po hynte në bisedimet e së premtes.