Ukraina kërkon anëtarësim në NATO
Situata në Ukrainë është e tensionuar. BE dhe SHBA janë të shqetësuar për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha këtë të martë se anëtarësimi sa më i shpejtë në NATO i Ukrainës, është mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës në rajonin lindor Donbassit. Deklaratat e kreut të shtetit ukrainas erdhën pas një bisede me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Ushtarake veri-atlantike Jens Stoltenberg.
Zelenski i bëri thirrje vendeve anëtare të NATO-s të forcojnë praninë e tyre ushtarake në rajonin e Detit të Zi për të vepruar si një “parandalues i fuqishëm” ndaj Rusisë.
Kremlini ka lëvizur një pjesë të ushtrisë në kufi me Ukrainën, dhe kjo ka sjellë shqetësimin e Bashkimit Europian dhe të Amerikës.
Departamenti i Shtetit i SHBA, pasi raportoi lëvizjet e trupave ruse në kufi, i kërkoi Kremlinit që të shpjegojë ato që i cilësoi si “provokimet” e fundit në kufirin me Ukrainën.
Amerikanët thanë së se janë të gatshëm të përgjigjen menjëherë ndaj kësaj situate.
“Më e rëndësishmja, i kemi thënë partnerëve tanë që të ndihen të sigurt.” – tha zyrtari amerikan.
Ndërkohë, Rusia ka mohuar që lëvizjet ushtarake ruse të përbëjnë kërcënim për Ukrainën dhe ka përsëritur si më herët se anëtarësimi i Ukrainës në NATO do ta përkeqësonte situatën.