Ukraina ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Rusinë
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky këtë të enjte ka njoftuar zyrtarisht ndërprejen e raporteve diplomatike me Rusinë pas nisjes së sulmit dhe mësymjes së ushtrisë ruse, me urdhër të kreut të Kremlinit, Vladimir Putin.
“Ky ka qenë fatkeqësisht një mëngjes historik”, tha presidenti ukrainas, duke iu drejtuar qytetarëve të tij.
“Bëhuni gati të mbështesni kombin tuaj”, shtoi Zelenski dhe më pas ftoi popullatën të “dhurojë gjak” sepse “ka ushtarë të plagosur në spitale” që kanë nevojë për të.
Po ashtu, vetë Zelensky, ka dhënë edhe një lajm tjetër, ku ka bërë me dije se çdo qytetar, i cili dëshiron të luftojë për vendin, do të pajiset me armë. Ata do të përjashtohen nga taksat në një rast të tillë.
Situata është e gjitha në kaos, ku lajme të shumta po qarkullojnë mbi luftimet që po zhvillohen në Ukrainë.
Ato filluan në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, i shpalli luftë Ukrainës dhe urdhëroi të nisin bombardimet.