Ukraina nis hetime për mbikëqyrjen e dyshuar të ish-ambasadores amerikane

Ukraina tha se ka nisur hetimet për mbikëqyrjen e mundshme të ish-ambasadores amerikane në Kiev, Marie Yovanovitch, përpara se ajo të shkarkohej nga ky post, vitin e kaluar.

Ministria e Brendshme e Ukrainës e bëri publik lajmin të enjten, dy ditë pasi hetuesit në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara publikuan disa dokumente, që e tregojnë Lev Parnasin – ndihmës i avokatit të presidentit amerikan, Donald Trump – duke komunikuar për shkarkimin e Yovanovitchit.

Ministria tha përmes një deklarate se policia e Ukrainës “nuk është duke ndërhyrë në çështjet e brendshme politike të Shteteve të Bashkuara”.

Por, shtoi ajo, dokumentet e publikuara “përmbajnë fakte të shkeljeve të mundshme të ligjit të Ukrainës dhe të Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike”.

Ministria tha se ka kërkuar nga FBI-ja që t’ia sigurojë Ukrainës të gjitha materialet e lidhura me rastin dhe u ofroi përfaqësuesve amerikanë që të marrin pjesë në hetime, shkruan Rel.

Yovanovitch shërbeu si ambasadore e SHBA-së në Kiev nga viti 2016 deri në maj të vitit 2019, kur ajo është shkarkuar, për shkak të kritikave publike të Trumpit për performancën e saj.

Ajo ka dëshmuar në kuadër të hetimeve që po i bën Dhoma e Përfaqësuesve për shkarkimin e Trumpit.

Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara ka ngritur dy akuza formale kundër Trumpit në muajin dhjetor: për shpërdorim të detyrës dhe pengim të drejtësisë.

Çështja këtë javë ka kaluar në Senat – institucionin që do ta gjykojë Trumpin.

Akuzat kanë dalë nga dyshimet se Trump i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar një rival të tij politik.

SHKARKO APP