Ukraina nuk dorëzohet, hidhet teoria e vrasjes së Putinit
Europa u zgjua mëngjesin e sotëm me lajmin se Rusia lëshoi në mesnatë raketa dhe ka marrë nën kontroll centralin më të madh bërthamor. Ukraina është e gjunjëzuar, por kurrë e dorëzuar. Edhe pse qytetet po bombardonet, ukrainasit nuk dorëzohen lehtë. Rusët po kërkojnë të nënshtrojnë pjesën jugore të Ukrainës, çka do t’i jepte kontroll më të madh në Detin e Zi, ndërsa duan me ngulm të marrin kryeqytetin, Kiev, dhe Kharkivin, qytetin e dytë më të madh.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u ka shpëtuar të paktën tri përpjekjeve për ta vrarë atë. Edhe njëherë tjetër, ai ka përsëritur ftesën drejtuar homologut rus, Vladimir Putin për të ulur bashkë në tryezën e bisedimeve për të zgjidhur krizën e luftës ruse në Ukrainë. Ish-aktori i komedisë përdori disa tone sarkazme, duke i thënë se nuk e kafshon. Zelensky i kërkoi Putin të ulen përballë njëri-tjetrit në tryezë dhe jo 30 m larg si me Macron, pasi janë fqinjë për të zhvilluar një dialog të drejtpërdrejt.
Panorama politike është radikalizuar pas pushtimit rus të Ukrainës, aq sa politikanët mund të thonë hapur dhe publikisht teori që më parë do të cilësoheshin si skandaloze. “Ka një Brut në Rusi? Ose një kolonel Stauffenberg i suksesshëm në ushtrinë ruse?”, tha senatori amerikan Lindsey Graham.
Në mes të luftës ka jetë. Parlamenti ukrainas thotë se 390 foshnja kanë lindur në Kiev në 8 ditët e fundit, 199 djem dhe 191 vajza. Deri më tani 9,166 ushtarë rusë kanë rënë gjatë pushtimit të Ukrainës. Kjo është bërë e ditur nga forcat e armatosura të Kievit.
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës, ka publikuar një manual për qytetarët sesi të godasin dhe të shkatërrojnë autokolonat me ushtarë dhe teknikë të Rusisë. Ushtria ukrainase i kërkon qytetarëve që të sulmojnë prapavijën e armikut pasi sipas saj ata janë pjesa më e papërgatitur dhe pa motivim në ushtrinë ruse.