Ultimatumi i Britanisë. Reagon Moska: Epoka e kolonializmit i përket së shkuarës

Mes Londrës dhe Kremlinit ka pasur replika dhe akuza lidhur sulmin e një ish-agjenti të shërbimeve sekrete ruse dhe vajzës së tij. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May deklaroi të hënën se Rusia kishte 24 orë afat për të dhënë informacione mbi lëndën helmuese që u përdor ndaj dy personave. Kryeministrja britanike tha se “qeveria jonë ka arritur në përfundimin se ka shumë mundësi që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin ndaj Sergei dhe Yulia Skripalit”. Sergei dhe Yulia Skripali vazhdojnë të jenë në gjendje kritike në spital, pas kontaktit me një agjent nervor rreth një javë më parë, në qytetin Salisbury, në Anglinë Jugore, ku ata jetojnë.

Ditën e sotme, Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov komentoi qëndrimet e Britanisë së Madhe. Ai u pyet nga mediat se cila do të jetë përgjigjja e Rusisë ndaj kërkesës së Kryeministres britanike Theresa May që brenda 24 orëve të jepen sqarime lidhur me helmimin e Sergej Skripal-it? Lavrov tha se “para se të bëjnë këtë ultimatum se brenda 24 orëve duhet t’i japim llogari qeverisë britanike, të zbatojnë më mirë vetë obligimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë rast sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Dhe për sa u përket mënyrave të sjelljes, nuk duhet të harrojmë se epoka e kolonializmit tashmë ka kohë që i përket së shkuarës”

Përgjigja e ministrit rus, Sergej Lavrov: “Dëgjuam një ultimatum të ardhur nga Londra. Përfaqësuesja zyrtare e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë Maria Zaharova ka dhënë tashmë një koment se si e shohim këtë situatë. Mund të shtoj vetëm që Britania e Madhe, ashtu sikundër edhe Rusia, është pjesëmarrëse në Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike, gjë që nuk është diçka e panjohur qoftë për Kryeministren, qoftë për Sekretarin për Punët e Jashtme të Britanisë së Madhe. Nuk kam dyshime që në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe ka ende specialistë, të cilët merren me çështjet e kësaj Konvente dhe të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike që është krijuar në bazë të kësaj Konvente. Ka mundësi që edhe pse ka ende ekspertë, askush, siç duket, nuk i dëgjon ata. Po të flasim se çfarë është e detyruar të bëjë Britania e Madhe sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike, është kjo më poshtë. Së pari, që në momentin kur lindën dyshime për përdorimin e një substance helmuese, e cila është e ndaluar nga Konventa, duhej t’i drejtohej menjëherë vendit, i cili dyshohet të jetë vendi i origjinës së kësaj substance. Përgjigjja ndaj një kërkese të tillë jepet brenda dhjetë ditësh. Në qoftë se kjo përgjigje i duket vendit, i cili kërkoi informacion, si e pamjaftueshme, atëherë ky vend (në këtë rast Britania e Madhe) duhet t’i drejtohet Bordit Ekzekutiv të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, si edhe Konferencës së vendeve-anëtare të Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Në të njëjtën kohë, ajo palë prej së cilës kërkohet informacioni është në të drejtën e saj të plotë të ketë akses tek substanca në fjalë për të kryer analizën e vetë të kësaj substance. Pikërisht këtë gjë ne e kemi bërë menjeherë pasi u dëgjuan zëra të përhapur nga gati të gjithë përfaqësuesit e udhëheqjes britanike se në helmimin e Sergej Skripal-it është përdorur një substancë e prodhuar në Federatën Ruse. Që në atë moment kemi kërkuar me një notë zyrtare që të na jepet akses tek kjo substancë, me qëllim që ekspertët tanë ta analizojnë në përputhje me Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike. Po në atë notë kemi kerkuar të na jepet akses edhe tek të gjitha faktet që kanë të bëjnë me hetimin, duke marrë parasysh që një nga viktimat është shtetasja e Rusisë Julia Skripal. Ndaj këtyre kërkesave tona që janë krejtësisht legjitime dhe burojnë nga Konventa për Ndalimin e Armëve Kimike, kemi marrë një përgjigje të paqartë, kuptimi i së cilës është se kërkesat tona legjitime janë rrëzuar. Pra, para se të bëjnë këtë ultimatum se brenda 24 orëve duhet t’i japim llogari qeverisë britanike, të zbatojnë më mirë vetë obligimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, në këtë rast sipas Konventës për Ndalimin e Armëve Kimike. Dhe për sa u përket mënyrave të sjelljes, nuk duhet të harrojmë se epoka e kolonializmit tashmë ka kohë që i përket së shkuarës”.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?