Ultranacionalistët izraelitë marshuan në Jeruzalemin lindor duke kërcënuar me rindezjen e dhunës

Qindra ultranacionalistë izraelitë, disa duke brohoritur “Vdekje Arabëve”, marshuan të martën në Jeruzalemin lindor në një demonstrim force që kërcënoi të rindizte dhunën vetëm disa javë pas përfundimit të një lufte me militantët e Hamasit në Rripin e Gazës. Palestinezët në Gazë u përgjigjën duke lëshuar balona ndezëse që shkaktuan të paktën 10 zjarre në jug të Izraelit.

Marshimi ishte një provë për qeverinë e re të brishtë të Izraelit si dhe armëpushimin që i dha fund luftës 11-ditore të muajit të kaluar midis Izraelit dhe Hamasit.

Palestinezët e konsideruan si provokim marshimin, që kishte për synim të festonte pushtimin e Jeruzalemit lindor nga Izraeli në 1967. Hamasi u bëri thirrje palestinezëve që t’u bënin “rezistencë” paradës. Një paradë e ngjashme ndihmoi në fillimin e luftës 11-ditore mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë muajin e kaluar.

Qindra nacionalistë hebrenj, shumica meshkuj të rinj, me flamuj izraelitë marshuan ndërsa kërcenin dhe këndonin këngë fetare. Në një moment ata filluan të bënin thirrje për djegien e fshatrave dhe brohorisnin “Vdekje Arabëve”.

Në një postimnë Twitter, Ministri i Jashtëm Yair Lapid tha se ata që bërtisnin parulla raciste ishin “një turp për popullin izraelit”, duke shtuar se “Fakti që ka radikalë për të cilët flamuri izraelit përfaqëson urrejtjen dhe racizmin është i neveritshëm dhe i pafalshëm.”

Përpara marshimit, policia izraelite pastroi zonën para Portës së Damaskut, mbylli rrugët dhe urdhëroi dyqanet të mbylleshin.

Policia tha se kishte arrestuar 17 persona të dyshuar për përfshirje në dhunë, disa prej të cilëve kishin hedhur gurë dhe kishin sulmuar policinë, dhe se dy oficerë të policisë kishin nevojë për trajtim mjekësor. Palestinezët thanë se pesë persona u lënduan në përleshjet me policinë izraelite.

Parada paraqiti një sfidë të hershme për kryeministrin e ri të Izraelit, Naftali Bennett, një nacionalist i vijës së ashpër, i cili ka premtuar një qasje pragmatike ndërsa drejton një qeveri jo shumë të konsoliduar me një përbërje të larmishme të koalicionit.

Megjithëse kishte shqetësime se marshimi do të rriste tensionet, anulimi i tij do të mund të nxiste kritika të ashpra ndaj zotit Bennett dhe anëtarëve të tjerë të krahut të djathtë të koalicionit nga ata që do ta konsideronin atë si një kapitullim ndaj Hamasit. Koalicioni qeverisës bëri betimin të dielën dhe pjesë e tij janë parti nga i gjithë spektri politik, duke përfshirë një parti të vogël arabe.

Mansour Abbas i partisë Raam, forca e parë politike arabe që bashkohet me një koalicion izraelit, tha se marshimi ishte “një përpjekje për t’i vënë flakën rajonit për qëllime politike”, me synimin për të minuar qeverinë e re.

Zoti Abbas tha se policia dhe ministri i sigurisë publike duhet të kishin anuluar marshin. “Unë u bëj thirrje të gjitha palëve që të shmangin një përshkallëzim të situatës dhe të tregojnë përmbajtje maksimale”, tha ai.

Në vitet e kaluara, marshimi kalonte përmes Portës së Damaskut dhe në zemër të Zonën Myslimane, një lagje e mbushur me palestinezë me rrugë dhe rrugica të ngushta. Por policia ndryshoi itinerarin e protestës të martën për të shmangur Zonën Myslimane.

Në kulmin e tensioneve, më 10 maj, ultranacionalistët izraelitë mbajtën paradën e tyre vjetore të flamurit. Ndërsa u devijua nga Porta e Damaskut në minutën e fundit, parada u pa nga palestinezët si një festë e padëshiruar e kontrollit izraelit mbi atë që ata e konsiderojnë si kryeqytetin e tyre.

Në emër të mbrojtjes së qytetit të shenjtë, Hamasi filloi sulmet me raketa ndaj Jeruzalemit, duke penguar marshimin dhe duke shkaktuar fillimin e luftës në Gazë, e cila shkaktoi vdekjen e më shumë se 250 palestinezëve dhe 13 izraelitëve.

Pasi pushtoi Jeruzalemin lindor në 1967, Izraeli e aneksoi atë, një veprim që nuk u njoh nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Izraeli ekonsideron të gjithë Jeruzalemin si kryeqytet të tij, ndërsa palestinezët duan që Jeruzalemi lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të tyre të ardhshëm. Pretendimet mbi Jeruzalemin lindor, ku ndodhet një numër objektesh të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët, janë në zemër të konfliktit dhe kanë shkaktuar valë të shumta dhune.

Kryeministri i Autoritetit Palestinez në Bregun Perëndimor të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, Mohammad Shtayyeh, e quajti marshimin e ultranacionalistëve hebrenj një “agresion kundër popullit tonë”. Në Jordaninë fqinje, Ministria e Jashtme lëshoi një deklaratë duke e quajtur marshimin “të papranueshëm” dhe duke thënë se ai minon përpjekjet për të ulur tensionet midis Izraelit dhe palestinezëve.

Media izraelite raportoi se ushtria ishte në gatishmëri të shtuar në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe përgjatë kufirit të Gazës.

Bateri të sistemit izraelit të mbrojtes nga raketat, “Mburoja e Hekurt” ishin dislokuar pranë qytetit jugor Netivot, afër kufirit të Gazës, para fillimit të protestës.

Ministri i Mbrojtjes Benny Gantz u takua me shefin e shtabit ushtarak, komisionerin e policisë dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë. Ai “nënvizoi nevojën për të shmangur tensionet dhe për të mbrojtur sigurinë personale të hebrenjve dhe arabëve”, tha zyra e tij përmes një deklarate.

Zëvendës zëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq tha se zyrtarët e OKB-së u kanë kërkuar të gjitha palëve të shmangin “provokimet” dhe të forcojnë armëpushimin jozyrtar që i dha fund luftës në Gaza.

SHKARKO APP