Ursula von der Leyen: Do të propozoj një pakt të ri mbi emigracionin në BE
“Do të propozoj për një pakt të ri mbi emigracionin në Bashkimin Europian. Kemi nevojë për një zgjidhje të re. Procedurat europiane duhet të jenë më efikase, por dhe humane”, ka deklaruar kreu i sapozgjedhur i Komisionit Europian Ursula von der Leyen në vizitën e saj zyrtare në Romë ku u takua me kryeministrin italian Giuseppe Conte.
“Jam e vetëdijshme , u shpreh ajo, se vendet si Italia,Greqia, Spanja janë në linjën e parë të përballimit të sfidës së emigracionit. Solidariteti është mjaft i rëndësishëm, por nuk duhet të jetë kurrë i njëanshëm, por duhet të jemi bashkëpunues.”
“Objektivi im politik, u shpreh kryekomisionerja europiane , është të kapërcejmë ndasitë veri-jug, lindje-perëndim, vende të vogla e vende të mëdha.”
Kryeministri italian, Giuseppe Conte, theksoi rëndësinë e politikave të reja europiane, me zgjidhje konkrete e të përshtatshme që të jenë pranë qytetarëve për të luftuar rrezikun e mosbesimit të tyre ndaj Europës.
Në qëndër të takimit Conte- Von Der Leyen ishte dhe zgjedhja e një komisioneri europian italian në një nga portofolet më të rëndësishme të Komisionit.
Për kreun e qeverisë italiane, Italia është një nga vendet themeluese të idesë së Bashkimit Europiane, vendi i tretë për nga rëndësia ekonomike në Europë e meriton një post të rëndësishëm në këtë institucion.
“Jemi sot në vendin ku 62 vite më parë u nënshkrua Traktati i Romës që hodhi bazën e idesë së Bashkimit Europian”.
Për një nga baballarët e kësaj ideje Alcide Gasperi, Italia është një gur themelòr i BE e unë mendoj se është dhe sot “, u shpreh Ursula von der Leyen.