Ushtria izraelite është e para në botë që ka arritur imunitetin e tufës me 81%
Ushtria izraelite është e para në botë që ka arritur imunizimin e tufës ndaj Covid-19. Këtë lajm e ka bërë të ditur Itzik Turgeman, Gjeneral dhe drejtor i logjistikës dhe teknologjisë.
Turgeman ka shtuar se pas 10 javësh vaksinimi me ritme intensive është konfirmuar se ushtria izraelite ka arritur nivelin 81% të imunizimit të tufës, ku brenda kësaj shifre përfshihen edhe të shëruarit nga Covid.
Sipas tij, javën e ardhshme pritet që shifra të arrijë në 85%. Tugerman specifikoi se imuniteti i tufës do t’u mundësojë ushtarëve një rikthim në rutinën normale, edhe pse atyre do t’u kërkohet që të vazhdojnë të mbajnë maskën, të respektojnë distancën sociale dhe rregulla të tjera.
Ndërkaq, sipas autoriteteve shëndetësore në Izrael më shumë se gjysma e popullsisë e ka marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 43% e popullsisë me 9 milion banorë ka marrë edhe të dytën.
Sipas shifrave të regjistruara në fillim të kësaj jave, Izraeli u ka injektuar dozën e parë të vaksinës mbi 5 milion njerëzve, ku 100 mijë persona janë vaksinuar vetëm brenda 24 orëve të ditës së Mërkurë.
Me vaksinimin e më shumë se gjysmës së popullsisë, të dielën Izraeli hapi aktivitetet kryesore tregtare, lokalet, restorantet, palestrat dhe qendrat kulturore. Gjithashtu, autoritetet e izraelit kanë futur në fuqi certifikatën e vaksinimit, ku çdo personi që i ka marrë të dy dozat e vaksinës i mundësohet një lëvizje e lirë jashtë vendit dhe në aktivitetet vendase.