Vaksina Covid e testuar te njerëzit kalon fazën e parë
Pas fillimit të pandemisë COVID-19, shumë shkencëtarë në të gjithë botën nisën kërkimet për krijimin e një vaksine kundër virusit. Deri më tani janë kryer disa teste, por ende nuk ka zyrtarisht një vaksinë anti-COVID.
Ndërkohë, rezultatet e para të vaksinës australiane Covax 19 kundër Covid-19, kanë rezultuar pozitive. Mediat e huaja bëjnë me dije se në testet e fazës së parë ka treguar se është e sigurt dhe se prodhon një përgjigje të imunitetit.
Provat janë zhvilluar në Universitetin Flinders të Adelaides, është i pari mes vaksinave kandidate që po zhvillohen në Australi që ka kaluar fazën 1 të eksperimentimit. Ndër të tjera bëhet me dije se vaksina iu është dhënë këtë muaj 40 vullnetarëve të shëndetshëm, asnjëri prej të cilave nuk ka pasur efekte anësore domethënëse ose temperaturë.
“Kemi konfirmuar se vaksina Covax 19 mund të sjellë përgjigje të përshtatshme të antitrupave te njerëzit”, ka thënë Nikolai Petrovsky, drejtori i Endokrinologjisë i Flinders Medical Center.