Vaksina e Moderna merr pëlqimin e FDA. Pritet së shpejti autorizimi. Një armë e dytë në luftën me Covid-19
Një panel i këshilluesve i Administratës së Barnave dhe Ushqimeve në Shtetet e Bashkuara, dha pëlqimin për përdorim emergjent të vaksinës së Moderna, duke siguruar një opsion të dytë për mbrojtjen kundër Covid-19. Prej 21 anëtarëve të komisionit, 20 votuan pro përfitimeve të vaksinës kundrejt rreziqeve, tek njerëzit nga 18-vjeç e sipër. Kjo erdhi 1 javë pasi i njëjti panel mbështeti vaksinën e Pfizer me BioNTech, që solli autorizimin emergjent një ditë më vonë.
Administrata e Barnave dhe Ushqimeve pritet t’i japë miratim emergjent së shpejti, duke ofruar një tjetër shpresë kundër pandemisë, që ka lënë mbi 300,000 të vdekur në vend. Vaksina e Moderna pritet të nisë shpërndarjen menjëherë pasi FDA t’i japë dritën e gjelbër/ Sekretari i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, Alex Axar, tha se 5.9 milionë doza janë alokuar caktuar për qytetet e mëdha dhe janë gati të transportohen.
Ndryshe nga vaksina e Pfizer, që ka sfida komplekse të shpërndarjes për shkak se duhet të ruhet në -70 gradë Celsius, vaksina e Moderna nuk kërkon frigoriferë të specializuar, dhe është më e thjeshtë për t’u transportuar në zona të largëta. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se presin 40 milionë doza të vaksinave nga të dy kompanitë deri në fund të vitit, mjaftueshëm për 20 milionë njerëz. Të dy vaksinat kanë treguar efektshmëri në rreth 95% për parandalimin e sëmundjes, pa ndonjë efekt serioz. Dokumentat e përgatitura nga shkencëtarët e Administratës së Barnave dhe Ushqimeve, të publikuara përpara takimit , treguan se regjimi me 2 doza i Moderna është tejet efektiv në parandalimin e Covid-19 dhe nuk ka ndonjë çështje të sigurisë.