Vaksina kineze kundër Covid-19 nis të përdoret në një tjetër shtet, ja në cilin
Emiratet e Bashkuara Arabe nisën të hënën programin publik të vaksinimit kundër sëmundjes COVID-19, duke përdorur injeksionin e bërë nga gjiganti kinez i ilaçeve, Sinopharm.
Programi nisi në kryeqytetin Abu Dabi, ku së paku 45 spitale dhe klinika janë duke marrë pjesë.
Programi i bën Emiratet e Bashkuara Arabe një nga vendet e para që nisin imunizimin masiv.
Banorët në kryeqytet mund të rezervojnë falas takimin për vaksinë, përmes shërbimeve lokale shëndetësore.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë konfirmuar mbi 186,000 raste me COVID-19.
Prej tyre, 618 pacientë kanë vdekur.
Të hënën, Shtetet e Bashkuara po ashtu nisin imunizimin e popullsisë nga kjo sëmundje, por me vaksinën e bërë nga kompania amerikane Pfizer dhe ajo gjermane, BioNTech.
Kjo vaksinë ka nisur të përdoret javën e kaluar edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
COVID-19, sëmundje që shkaktohet nga një koronavirus i ri, ka prekur mbi 72 milionë njerëz në të gjithë botën.
Prej tyre, mbi 1.6 milion kanë vdekur dhe mbi 47 milionë janë shëruar.
SHBA-ja është vendi më i prekur në botë, me mbi 16 milionë të infektuar dhe me afro 300,000 viktima.
Vaksinat e para, kudo në botë, është thënë se do t’i marrin punonjësit shëndetësorë dhe grupet e njerëzve më të rrezikuar – kryesisht të moshuarit./REL