Vaksina kundër koronavirusit në Maqedoninë e Veriut do jetë falas
Vaksina kundër Covid-19, do të jetë falas në Maqedoninë e Veriut. Lajmin e ka bërë të ditur vet ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ai njoftoi se shteti në këtë moment ka dy mekanizma për furnizim. Sipas tij, njëri është mekanizmi Kovaks, nëpërmjet OBSH-së dhe Aleancës për komunikim.
“Kemi nënshkruar letër të qëllimeve dhe ky mekanizëm iu mundëson vendeve në mënyrë të barabartë të ndahen vaksinat sipas numrit të popullatës atëherë kur të dalin në treg, nga çdo prodhues. Në ndërkohë, kemi marrë edhe ofertë nga Ambasada e Polonisë, për çka dua të shprehë falënderim për ambasadorin polak në vendin tonë. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale me kompaninë e cila punon në vaksinën e Oksfordit “Astra zeneka”. Kemi marrë ofertë nga Polonia që të furnizojë sasi të mjaftueshme edhe për ne, pasi që ne nuk do të kemi mundësi që të bëjmë marrëveshje bilaterale. Definitivisht, me dy mekanizmat sigurojmë se vaksina do të jetë e qasshme edhe për qytetarët tanë, falas”, tha ministri në intervistën e tij të fundit për media maqedonase.