Vaksinim i ngadaltë në Europë, Franca ka vaksinuar brenda një jave vetëm 516 vetë
Një javë pasi Bashkimi Europian miratoi përdorimin e një vaksine kundër Covid-19, fushata e vaksinimit po ecën ngadalë jashtë çdo parashikimi. Rekordin më negativ e ka shënuar Franca me vetëm 516 të vaksinuar për një javë. Debat ndërkohë në Britaninë e Madhe ku është dhënë autorizimi për përdorimin e dy vaksinave të ndryshme tek një individ.
Ndërsa kufizimet janë rivendosur në disa vende europiane, në krahun tjetër fushata e vaksinimit po ecën shumë ngadalë. Në javën e parë të fushatës, Franca njoftoi vetëm vaksinimin e 516 vetëve.
Ministri i Shëndetësisë Olivier Veran ka përfshirë në grupin e parë edhe zjarrfikësit përveç mjekëve mbi 50 vjeç, ndërsa premtoi shtimin e dozave tashmë të shpërndara në 27 spitale.
Në Gjermani, ku janë vaksinuar rreth 240,000 vetë, nuk ka ankesa apo mungesë dozash. Zëdhënës i kancelares Merkel, Stephen Seibert nënvizoi se Gjermania do të vazhdojë të marrë pjesë në fushatën ndër europiane të vaksinimit dhe shpërndarjes së vaksinës:
“Padurimi dhe shumë pyetjet që po bëhen janë tërësisht të kuptueshme. Disa gjëra do të përmirësohen me kalimin e kohës. Rëndësia e vaksinimit u është përcjellë edhe krerëve të landeve,” tha zëdhënësi
Mbretëria e Bashkuar është vendi i vetëm që ka miratuar dy vaksina, atë të Pfizer / BionTech dhe të AstraZenecas dhe Universitetit të Oksfordit. Për shkak të mungesës së dozave komiteti i vaksinimit vendosi që koha ndërmjet dy dozave të shtohet nga 3 apo 4 javë në 12.
Në këtë vend ka reagime në lidhje me autorizimin e dhënë për të përzierë dy vaksina të ndryshme. Bashkimi Europian ka lidhur kontrata me gjashtë prodhues vaksinash, por deri më tani Agjencia Europiane e Barnave ka miratuar vetëm vaksinën e Pfizer-BioNTech ndërsa një vendim për vaksinën e prodhuar nga firma amerikane farmaceutike Moderna pritet të merret të mërkurën.