Vaksinoni botën! Ky është investimi më i mirë që mund të bëhet ndonjëherë
Nga Nicholas Kristof, The New York Times
Le ta fillojmë me një pyetje të shpejtë në formë kuici:Cili është investimi me fitimin më të lartë që mund të mendoni? Investim në aksionet e një kompanie private? Apo depozitimi i tyre në një institucion financuar?
Jo, pasi ekziston një investim që garanton një fitim shumë më të lartë:një fushatë globale për të vaksinuar njerëzit në vendet e varfra kundër koronavirusit. Deri më tani Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera “udhëheqëse” të G7, nuk kanë treguar një udhëheqje të vërtetë në luftimin e pandemisë në përmasa globale.
Nacionalizmi amerikan i vaksinave, ka bërë që ne të grumbullojmë si vaksinat ashtu edhe lëndët e para për vete, duke shkaktuar vdekje të panevojshme jashtë vendit, por edhe duke dëmtuar rimëkëmbjen tonë.
“Është një dështim i madh moral i G7-ës”- deklaroi Esther Duflo, ekonomiste fituese e çmimit Nobelit në ekonomi. “Ne jemi aq shumë të përqendruar në problemet tona,saqë nuk po mundemi që të shohim përtej”- shton ajo.
Abhijit Banerjee, bashkëshorti i saj, fitues edhe ai i Nobelit në ekonomi,thotë se për shkak të rreziqeve nga variantet që po krijohen në vendet e varfra ky “nuk është vetëm një dështim i madh, por unë mendoj se ai do të rikthehet në një bumerang”.
Natyrisht, ky problem nuk ka të bëjë kryesisht me paratë. Bëhet fjalë për jetë njerëzish. Për trajektoren e ardhshme të njerëzimit. Por për ata që peshojnë kostot për të orientuar më pas busullën e tyre morale, një studim i ri nga Fondi Monetar Ndërkombëtar na jep disa të dhëna që e nënvizojnë sërish rëndësinë e një investimi urgjent për vaksinimin sa më shpejt të gjithë njerëzve në mbarë botën.
FMN llogarit se një investim urgjent prej vetëm 50 miliardë dollarësh kryesisht nga vendet e pasura për të vaksinuar njerëzit në vendet e varfëra, do të garantonte një fitim prej 9 trilionë dollarësh për shkak të rritjes ekonomike shtesë deri në vitin 2025, gjithnjë në rast se pandemia vihet më shpejt nën kontroll.
Sipas ekspertëve me të cilët bisedova, bëhet fjalë për një normë fitim prej rreth 267 për qind në vit për 4 vjet. Ndërkohë, një studim i Universitetit të Oksfordit zbuloi një kthim mesatar nga kapitali privat prej vetëm 11 për qind në vit.
Kristalina Georgieva, drejtoresha menaxhuese e FMN thotë se investimi tek vaksinimi global, do të ishte ndoshta “kthimi më i lartë i investimeve publike në historinë moderne”. Synimi është të vaksinohet të paktën 40 për qind të popullsisë globale deri në fund të këtij viti, dhe të paktën 60 për qind deri në gjysmën e parë të vitit 2022.
FMN llogarit se vendet e pasura do të bënin shumë më mirë ekonomikisht me një fushatë globale vaksinimi që do të frenonte më shpejt pandeminë, saqë do të gjeneronin rreth 1 trilionë dollarë shtesë vetëm nga të ardhura e tyre nga taksat.
Me pak fjalë, kjo nismë për shpërndarjen e vaksinave do të paguante veten e saj shumë herë, thjesht përmes të ardhurave shtesë nga taksat. Në rrezik është mirëqenia e specieve tona. Për dekada njerëzit kanë përjetuar një përparim të jashtëzakonshëm në luftën kundër varfërisë ekstreme, analfabetizmit, sëmundjeve, verbërisë dhe urisë.
Por për shkak të koronavirusit, ne jemi kthyer pas në disa parametra. Kur virusi shkatërron një vend me të ardhura të ulëta, vajzat e reja braktisin shkollat dhe martohen që kur janë të mitura. Mund të anashkalohet plotësimi i nevojave me vitaminën A, duke shkaktuar mungesë të mikroelementëve, të cilët mund të shkaktojnë më shumë verbëri dhe vdekje.
Fëmijët nuk ushqehen si duhet, ndaj ushqimi i tyre ushqen më shumë parazitët sesa trupin dhe trurin e tyre, duke i bërë anemikë dhe të keq-ushqyer. Gratë nuk mund të marrin kontraceptivë apo kujdesin e duhur shëndetësor gjatë shtatzanisë, ndaj disa prej tyre vdesin ose pësojnë lëndime gjatë lindjes.
E gjithë kjo situatë kërcënon që ta zgjerojë pabarazinë globale. “Një grupim i vogël vendesh që prodhojnë dhe blejnë shumicën e vaksinave të botës, kontrollojnë fatin e pjesës tjetër të botës. Kriza e vazhdueshme e vaksinave, është një pabarazi skandaloze që po e zgjat pa fund pandeminë.
Më shumë se 75 për qind e të gjitha vaksinave janë shpërndarë në vetëm 10 vende”- vuri në dukje dr.Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Më pak se 1 për qind e popullsisë në vende si Zambia, Sudani dhe Taxhikistani, kanë marrë qoftë edhe një dozë vaksine.
Sigurisht, është e kuptueshme që udhëheqësit kombëtar të duan t’u japin përparësi qytetarëve të tyre. Por ndërsa rriten rezervat e vaksinave, ne duhet të synojmë të luftojmë koronavirusin në mbarë botën – jo vetëm sepse kjo është gjëja e duhur për t’u bërë, por edhe sepse është në interesin tonë kombëtar.
Virusi që ne injorojmë në Zambia mund të inkubojë një virus që do të na godasë shumë fort më vonë. Gjithashtu, ne kemi shansin të përdorim këtë nismë për të rindërtuar vullnetin e mirë dhe fuqinë e butë që u dobësua ndjeshëm gjatë presidencës Trump, dhe disa prej këtyre vende mund të na ndihmojnë të shënojmë një përparim të dukshëm në konferencën e ardhshme të OKB për ndryshimin e klimës që do të mbahet në nëntor.
Unë jam sinqerisht pak skeptik ndaj të dhënave të FMN, pasi ato përfshijnë supozime që janë shpesh të vështira të materializohen, dhe vaksinimi në vendet e varfra është një proces shumë i vështirë. Covax, përpjekja ndërkombëtare për vaksinimin global, po punon heroikisht në vendet ku përparimi i fushatës së vaksinimit është shumë i ngadaltë.
Për shembull, Sudani i Jugut lejoi të skadojnë rreth 59.000 doza vaksine para se të mund të përdoreshin. Por edhe nëse vlerësimet e përfitimeve nga ana e FMN janë disi të ekzagjeruara dhe fitimi real mund të jetë vetëm 900 miliardë dhe jo 9 trilionë dollarë, kjo shifër përbën ende një rikthim të jashtëzakonshëm të investimit, ose 18 herë më shumë sesa investimi fillestar prej 50 miliardë dollarësh.
Perëndimi nuk ka luksin që të mos ia dalë mbanë. Ky është një shans që presidenti Joe Biden të rritet në lartësinë e kësaj sfide globale, dhe të konfirmojë udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në gjirin e G7-s në një mënyrë nga e cila do të përfitojë e gjithë bota, por që do të mbrojë gjithashtu edhe vetë ekonominë amerikane.
“Ne e dimë se si t’i japim fund kësaj pandemie. Do të ishte gati kriminale të mos na jepni mundësinë që të kryejmë misionin tonë”- tha Seth Berkley, shefi ekzekutiv i GAVI, Aleanca e Vaksinave.
/Përktheu: Abcnews.al