Vala e dytë e koronavirusit “gjunjëzon” Evropën, shtetet e fuqishme rikthejnë izolimin

Dy prej ekonomive më të mëdha në Evropë, Gjermania dhe Franca, do të nisin së zbatuari disa forma të izolimit kombëtar, teksa kontinenti përballet me rritje të numrit të personave të infektuar dhe të vdekur me koronavirus.

Nga e premtja, njerëzit në Francë do të lejohen të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për punë të dosmodoshme dhe arsye mjekësore.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë se ky shtet rrezikon të “stërngarkohet si pasojë e valës së dytë të pandemisë, që nuk ka dyshim se do të jetë më e vështirë sesa e para”.

Përmes një adresimi televiziv, Macron ka thënë se sipas rregullave të reja, njerëzit duhet të plotësojnë një formular për të arsyetuar largimin nga shtëpitë e tyre, ashtu sikurse u është kërkuar në muajn prill.

Mirëpo ai e ka bërë të qartë që shërbimet publike dhe fabrikat do të mbeten të hapura, duke shtuar se ekonomia “nuk duhet të ndalet, në të kundërtën shkatërrohet”.

Ndërkohë Gjermania do të zbatojë atë që e ka konsideruar izolim “të butë” kombëtar.

Masat që do të nisin së zbatuari nga e hëna janë më pak të ashpra sesa ato të Francës, por, megjithatë përfshijnë mbylljen e restoranteve, bareve, palestrave dhe teatorve, ka thënë kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Merkel ka thënë se shteti i saj duhet të “veprojë tani” dhe ka bërë thirrje për “përpjekje të mëdha kombëtare” për të luftuar përhapjen e koronavirusit.

Ndonëse Gjermania ka raportuar për shkallë më të ulët të infektimit me koronavirus sesa shumë vende tjera në Evropë, së fundmi shkalla në rritje e përhapjes ka alarmuar qeverinë.

“Sistemi ynë shëndetësor mund të përballet ende me këtë sfidë sot, mirëpo me këtë rritje, kapacitetet do të arrihen brenda javëve”, ka thënë ajo.

Izolimi i pjesshëm në këtë shtet do të nisë më 2 nëntor deri më të paktën 30 nëntor.

Numri i të infektuarve është duke u rritur shpejt në Evropë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, e cila të mërkurën ka regjistruar 310 viktima dhe 24,701 raste të reja.

Në Angli, një studim ka treguar se pothuajse 100,000 persona janë duke u infektuar me koronavirus çdo ditë, duke rritur presionin te qeveria që të ndryshojë qasjen.

Në Francë, viktimat me këtë virus janë duke prekur shifrat më të larta nga muaji prill.

Të mërkurën, autoritetet franceze kanë raportuar për 36,437 raste të reja, si dhe 244 viktima.

Zyrtarët shëndetësorë në Gjermani kanë thënë të enjen se brenda 24 orëve të fundit kanë vdekur edhe 89 pacientë, me një rekord të personave të infektuar, 16,774.

Lajmi për kufizime të reja në ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian ka rezultuar me rënie të mprehta në tregjet financiare të mërkurën.

“Ne jemi thellësisht në valën e dytë”, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Mendoj se këtë vit, Krishtlindjet do të jenë ndryshe”, ka thënë mes tjerash ajo.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Republika Çeke ka regjistruar shkallën më të rëndë të infektimit në kontinent me 1,448 raste për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit.

Edhe ky vend ka nisur së zbatuari izolim të pjesshëm./

SHKARKO APP