Valë e re refugjatësh
Lufta për rajonin sirian të Idlibit ka detyruar mijëra vetë të marrin arratinë drejt Turqisë. Presidenti Erdogan e sheh të rrezikuar marrëveshjen e refugjatëve me BE, ndërkohë që ajo u shërben të dyja palëve. Idlibi gjendet në bombardim të vazhdueshëm. Prej javësh luftohet me ashpërsi në rajonin sirian, fortesa e fundit e rebelëve xhihadistë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e kishte paralajmëruar një vërshim të ri refugjatësh nga vendi fqinj, dhe ashtu si në vitin 2015, është e parashikueshme që një numër i madh njerëzish të marrin rrugën drejt Europës. “Të gjitha vendet europiane, veçanërisht Greqia, do të ndiejnë pasojat negative”, pat paralajmëruar Erdogan dhe me sa duket, fjalët e tij nuk kanë rënë në vesh të shurdhër. Kancelarja, Angela Merkel planifikon, sipas një raportimi të gazetës „Süddeutsche Zeitung” të vizitojë Ankaranë që në janar.
Nëse kjo vizitë zhvillohet, Merkel ka për t’u angazhuar për vazhdimësinë e marrëveshjes së refugjatëve, që BE dhe Turqia arritën me njëra-tjetrën në mars 2016. Marrëveshja parashikon, që Turqia të pengojë, që refugjatët me ndihmën e kontrabandistëve të marrin rrugën nga ky vend në drejtim të ishujve grekë. Si shpërblim, BE kishte ofruar 6 miliardë euro për përmirësimin e kushteve të jetesës së refugjatëve deri në vitin 2018.
Që në verë Erdogan u shpreh, se do t’i hapë portat për refugjatët në Europë, nëse Turqia nuk merr mbështetje më të madhe për furnizimin e refugjatëve që jetojnë atje. Në Turqi ndodhen 3,6 milionë refugjatë.