Varianti brazilian ngre alarmin në Britani, më pak efektiv ndaj vaksinave
Një variant shqetësues i zbuluar për herë të parë në Brazil tani është identifikuar edhe në Mbretërinë e Bashkuar.
Tre raste janë zbuluar në Angli dhe tre të tjerë në Skoci. Në Angli, zyrtarët janë ende duke u përpjekur të zbulojnë se si u përhap ky variant. Të tre banorët skocezë kishin fluturuar në Skocinë veri-lindore nga Brazili përmes Parisit dhe Londrës, sipas një deklaratë të qeverisë britanike.
Ekspertët besojnë se ky variant (P1) që është zbuluar fillimisht tek udhëtarët në Japoni nga Manaus në veri të Brazilit në janar – mund të jetë më ngjitës. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se vaksinat mund të mos jenë aq efektive kundër tij.
Dr Susan Hopkins, nga Shëndeti Publik Angli (PHE), tha se MB ishte më e përparuar se shumë vende të tjera në identifikimin e varianteve dhe mutacioneve dhe për këtë arsye ishte në gjendje të vepronte shpejt.
Në Angli, dy rastet e para janë nga e njëjta familje në South Gloucestershire pasi një pjesëtar i familjes u kthye nga Brazili më 10 shkurt – pesë ditë para se të hynte në fuqi rregulli i karantinimit në hotele.
Dy persona të tjerë të së njëjtës familje gjithashtu kanë rezultuar pozitivë me Covid – por ende po vazhdojnë kërkimet për të kontrolluar nëse është i njëjti variant, kështu që ata nuk janë përfshirë në totalin e rasteve të zbuluara në Mbretërinë e Bashkuar.
PHE tha se zyrtarët tani po gjurmojnë pasagjerët që ishin në të njëjtin fluturim nga Sao Paulo për në Heathrow. Rasti i tretë i identifikuar në Angli nuk është i lidhur me dy rastet e tjera dhe vendndodhja e atij personi ende nuk dihet.
Zyrtarët po kërkojnë nga të gjithë personat që kanë bërë testin në 12 ose 13 Shkurt dhe që nuk ka marrë një rezultat ose ende nuk kanë përfunduar regjistrimin e testit të paraqiten menjëherë duke telefonuar në 119.
Lidhur me rastet në Skoci, qeveria tha se të tre personat kishin rezultuar pozitivë dhe tashmë ishin vetë-izoluar. Varianti i Brazilit është diçka për të cilën zyrtarët shqetësohen sepse është i ngjashëm me mutacionin e Afrikës së Jugut.
Të dy kanë pësuar ndryshime gjenetike që mund t’i bëjnë ato më ngjitëse dhe më pak efektive kundër vaksinave.
Këto vaksina të azhurnuara mund të jenë gati brenda muajve, që do të thotë se MB do të ketë miliona doza të gatshme për t’u dhënë njerëzve një dozë përforcuese para dimrit të ardhshëm për t’u siguruar që popullata është e mbrojtur.
Një prej këtyre mutacioneve – i quajtur E484K – mund të ndihmojë virusin të shmangë pjesët e sistemit imunitar të quajtur antitrupa. Është gjithashtu e mundur që ky variant mund t’i përgjigjet më pak vaksinave aktuale, por duhet më shumë punë për ta kuptuar këtë.
Në janar, një variant i koronavirusit nga Brazili u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar – por nuk ishte ky variant shqetësues. PHE tha se “rreziku për komunitetin e gjerë konsiderohet i ulët” por si një masë paraprake testimi shtesë i komunitetit do të zhvillohet në disa kode postare në veri të Bristol.
Ai i nxiti njerëzit të vazhdonin të ndiqnin masat e koronavirusit. Ndërkohë, sekretari i brendshëm i Labour, Nick Thomas-Symonds, tha se përhapja e këtij varianti ishte “thellësisht shqetësues”.
“Tani është jetike që të bëjmë gjithçka që mundemi për të mbajtur nën kontroll situatën, tha ai.
Rikujtojmë se rregulli i karantinimit në hotele hyri në fuqi në 15 Shkurt. Do të thotë që udhëtarët që vijnë në Angli nga 33 vende – përfshirë Brazilin – duhet të karantinohen në një hotel për 10 ditë, ndërsa në Skoci rregulli zbatohet për udhëtarët nga të gjitha vendet.
Para kësaj date, udhëtarët që mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar ende kishin nevojë të vet-izoloheshin në shtëpitë e tyre për 10 ditë. Të gjithë udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar gjithashtu duhet të paraqesin një test negativ Covid maksimumi 72 orë para nisjes së tyre.
Britania e Madhe në 24 orët e fundit regjistroi 6,035 raste me koronavirus dhe 144 viktima. Por vendi arriti një moment historik në programin e vaksinimit, me më shumë se 20 milion njerëz që kishin marrë dozën e tyre të parë të vaksinës. / abcnews.al