Varianti i ri Covid bllokon Gjermaninë, qytetarët mbyllen deri më 14 shkurt
Gjermania ka vendosur të zgjasë mbylljen për shkak të Covid-19 deri më 14 shkurt, teksa vendi po lufton për të frenuar një valë të dytë të infeksioneve. Merkel tha se mutacioni i ri i koronavirusit po shkakton shqetësim dhë për këtë bashkë me kryeministrat e 16 shteteve federale, vendosi masa të rrepta, pavarësisht nga rënia e ngadaltë e numrit të rasteve të reja. Ajo theksoi se nëse numri i infeksioneve është i ulët, mutacioni i virusit ka pak mundësi të përhapet. Kancelarja po ashtu e bëri të detyrueshme mbajtjen e maskave mjekësore në transportin publik dhe ndërmarrjeve u kërkoi që në varësi të mundësive punonjësit t’i kryejnë obligimet e punës nga shtëpia, përveç nëse kjo është e pamundur.
Merkel u shpreh: Numri i infeksioneve të reja është zvogëluar. Kjo na jep shpresë. Por mutacioni i virusit mbart një rrezik të madh. Tani është koha për të parandaluar këtë rrezik.
Referuar rregullores së re, njerëzve nuk u lejohet të mbajnë maska të bëra vetë ose shall për të mbuluar fytyrën, por ata duhet të përdorin maska klinike, përfshirë ato kirurgjikale njëpërdorimshe dhe ato me aparate filtruese të njohura si FFP2. Në të gjithë vendin shkollat, kopshtet dhe të gjitha dyqanet jo të domosdoshme do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri në 14 shkurt.