Varianti Indian shqetëson OBSH-në: Kujdes gjatë verës
Varianti Delta i koronavirusit, apo lloji i virusit SARS-CoV-2 që u përhap nga India, po përbën rrezik për shëndetin e banorëve të Europës.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, varianti i ri shpërndahet shpejt dhe në mënyrë kapilare brenda një shoqërie, duke kërcënuar veçanërisht të pambrojturit me vaksina.
“Varianti i ri tregon transmetueshmëri të lartë dhe i shpëton sistemit imunitar, e mund të marrë vrull në rajon, ndërkohë që popullata delikate e moshës mbi 60 vjeç mbetet e pambrojtur,” thotë Hans Kluge, drejtori i OBSH-së për Europën.
Studimet e fundit tregojnë se varianti B.1.617.2 i koronavirusit mund të infektojë personat të cilët nuk janë të vaksinuar me dozat e plota.
Në Mbretërinë e Bashkuar, studiuesit nxorën se me vaksinat AstraZeneca dhe Pfizer-BioNTech, mbrojtja ndaj virusit që buroi nga India mund të mbrojë vetëm në 33 për qind të rasteve që kanë marrë vetëm njërën dozë të vaksinës.
Mburoja imunitare forcohet në 60 dhe 88% kur kryhen të dyja dozat.
Kluge kërkoi të enjten që publiku i gjerë të ndjekë udhëzimet për masat parandaluese ndaj infektimit sidomos gjatë stinës së verës.
“Verën e kaluar rastet u rritën gradualisht në grupmoshat e reja, dhe pastaj kaluan te moshat më të vjetra, duke sjellë një valë shkatërrimtare infeksionesh, izolimi dhe humbjesh jete në vjeshtën dhe dimrit e vitit 2020. Të mos e bëjmë prapë atë gabim.”
Që prej fillimit të pandemisë, Europa ka pasur 55 milionë të infektuar me kovidin-19, dhe 1,2 milion njerëz nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes.