Vdekjet nga Covid-19, Mali i Zi me raportin më të lartë në rajon

Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë vendet me raportin më të lartë të vdekjeve nga Covid-19 në Ballkanin Perëndimor. Të shtunën autoritetet malazeze raportuan për 5 viktima të tjera duke e çuar totalin në 999 persona që kanë humbur jetën që prej nisjes së pandemisë.

Vendi fqinj, që ka rreth 620 mijë banorë, ka diagnostikuar zyrtarisht 75,332 raste me të infektuar me një raport të rëndë prej 1,605 viktimash për çdo 1 milionë banorë, megjithatë lehtëson fakti se vdekshmëria ndër të infektuarit mbetet 1.3%.

Maqedonia e Veriut vjen pas Malit të Zi për raportin e vdekjeve. Shkupi zyrtar ka njoftuar deri më sot për 3.126 të vdekur ndër 102,482 raste me Covid-19 me një vdekshmëri të lartë prej 3.1%.

Raporti i vdekjeve nga Covid-19 për çdo 1 milion banor në RMV është 1,563. Në këtë shifër pas Maqedonisë së Veriut vijnë Bosnje e Hercegovina (1,449); Kroacia (1,348), Kosova (891), Serbia (633) dhe Shqipëria (612).

SHKARKO APP