“Vëllazëria sllave”, stërvitja e përbashkët Serbi-Rusi bezdis BE-në
Maja Kocijançiç, zëdhënësja e Komisionit Europian, tha se “nën rrethanat aktuale”, një ushtrim i përbashkët ushtarak Serbi-Rusi do të dërgonte “një sinjal të gabuar”, raportoi agjencia e lajmeve me bazë të Beograd, Beta.
“Ne presim që Serbia të veprojë sipas detyrimeve të procesit të pranimit në BE,” shtoi Kocijançiç.
Në përgjigje, Ministria Serbe e Mbrojtjes tha se është përpjekur të drejtojë një politikë të balancuar të bashkëpunimit ndërkombëtar në akord me neutralitetin ushtarak të Serbisë dhe interesave kombëtare.
“Kur vjen puna te aktivitetet me Forcat e Armatosura Ruse, ministria e Mbrojtjes i kushton vëmendje të barabartë si të gjithë partnerëve kyç”, tha një deklaratë.
Sipas raportimeve të medias serbe, njësitë ushtarake ruse, bjelloruse dhe serbe do të organizojnë një ushtrim të përbashkët ushtarak në shtator të emëruar “vëllazëria sllave” në territorin rus.
Ushtrimet e përbashkëta ushtarake u diskutuan gjatë takimit të ministrave të mbrojtjes serb dhe rus, Bratislav Gasiç dhe Sergei Shoigu më 15 gusht në Moskë. Shoigu raportohet se ka ftuar forcat speciale të ushtrisë serbe të marrin pjesë në një stërvitje ushtarake me forcat ruse në vitin e ardhshëm. Ushtria serbe gjithashtu ka planifikuar disa stërvitje ushtarake me ushtritë anëtare të NATOs këtë vit.
Aleksandar Radiç, një ekspert ushtarak në Beograd, tha se qeveria serbe do të përballet me një sfidë në ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Rusinë dhe Perëndimin njëkohësisht kur marrëdhëniet e tyre janë trazuar prej konfliktit në Ukrainë.
Radiç tha për BIRN se Serbia duhet të vendosë për prioritetin më të madh – kryerjen e stërvitjeve ushtarake me Rusinë apo vazhdimi i integrimit të qetë europian. Eksperti u shpreh se stërvitjet me Rusinë mund të japin një mesazh politik dhe se Serbia duhet të harmonizojë politikën e jashtme me BE-në. Zoran Dragisiç, një profesor në Fakultetin e Studimeve të Sigurisë në Beograd, ra dakord se Serbia duhet të harmonizojë politikën me BE-në nëse do të bëhet shtet anëtar. “Flirtimi me Rusinë është një halë në sytë e Europës dhe kjo mund të ndikojë në pozicionin e Serbisë negativisht,” tha Dragisiç. Marrëdhëniet me Rusinë janë një çështje e ndjeshme në procesin e pranimit në BE sepse Beogradi ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Moskës për Ukrainën.
Qeveria serbe e ka theksuar shpesh se integrimi në BE është prioritet, por edhe që dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me Rusinë, aleatin tradicional të Serbisë. Serbia ka shpallur neutralitetin ushtarak në dhjetor 2007, por ajo është një anëtare e programit të Partneritetit të Paqes së NATOs. Zyrtarët serbë duan të ruajnë marrëdhënie të mira me partnerët perëndimorë gjithashtu. Bratislav Gasiç, Ministër i mbrojtjes, më 17 gusht vlerësoi në një takim me ambasadorin amerikan bashkëpunimin ushtarak me SHBAnë. Gasiç tha se Plani Ushtarak i Bashkëpunimit Bilateral për 2016 parashikonte 127 aktivitete të përbashkëta, përveç edukimit të anëtarëve të ushtrisë serbe në SHBA.