Vëllezërit Menendez, nga zbulimi i kr@mit tek lufta për liri
Erik dhe Lyle Menendez kanë 35 vite në burg për vrasjen e prindërve të tyre, në një nga rastet më të bujshme në historinë e drejtësisë amerikane. Ky rast vazhdon të tërheqë vëmendjen e publikut edhe sot.
1989-Më 20 gusht 1989, Jose Menendez një drejtues i industrisë muzikore dhe gruaja e tij, Kitty Menendez u vranë me armë zjarri në shtëpinë e tyre. Djemtë e tyre, Lyle, 21 vjeç, dhe Erik, 18 vjeç, thirrën policinë duke pretenduar se një grup grabitësish kishte kryer krimin.
1990-Në mars të vitit 1990, Erik dhe Lyle u arrestuan për vrasje të shkallës së parë.
1993-Gjyqi i parë për vëllezërit Menendez nisi në vitin 1993, ku secili kishte jurinë e tij. Prokuroria pretendoi se Lyle dhe Erik vranë prindërit për përfitime financiare, duke përmendur shpenzimet luksoze të tyre pas ngjarjes. Ndërkohë, mbrojtja argumentoi se vëllezërit vepruan për vetëmbrojtje, pasi kishin vuajtur abuzime të rënda seksuale nga babai i tyre.
1994-Juria nuk arriti të binte dakord për një vendim dhe procesi përfundoi në një gjyq të pavlefshëm.
1996-Në një gjyq të dytë, ku shumë nga provat mbi abuzimet u ndaluan, Lyle dhe Erik u shpallën fajtorë për vrasje të shkallës së parë. Ata u dënuan me burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht dhe u dërguan në burgje të ndryshme.
1999-Erik u martua në burg me Tammi Menendez, e cila sot është një avokate e përkushtuar për lirimin e tij.
2003-Lyle u martua me Rebecca Sneed në vitin 2003, por në nëntor të 2024, Sneed deklaroi se ata ishin ndarë prej kohësh, megjithëse mbeten miq të ngushtë.
2018-Pas më shumë se dy dekadash, Lyle dhe Erik u ribashkuan në të njëjtin burg në San Diego. Sipas një gazetari të përfshirë në dokumentimin e çështjes, takimi i tyre i parë u shoqërua me lot dhe përqafime të gjata.
2023-Në vitin 2023, vëllezërit paraqitën një kërkesë për rishikim të provave të reja, duke përfshirë një letër të shkruar nga Erik disa muaj para krimeve dhe pretendime të një anëtari të ish-grupit Menudo, që akuzon Jose Menendez për abuzim seksual.
Shtator 2024-Seria “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story” u publikua në Netflix, duke sjellë vëmendje të re mbi rastin.
Tetor 2024-Një dokumentar i Netflix shtoi më tej mbështetjen për lirimin e vëllezërve, veçanërisht nga gjeneratat e reja në mediat sociale. Familjarë të Menendez u bashkuan në një konferencë për shtyp për të kërkuar rigjykim dhe ulje të dënimit.
Nëntor 2024-Prokurori George Gascón propozoi që dënimi i vëllezërve të ulej, duke u dhënë atyre mundësinë për lirim me kusht. Megjithatë, me largimin e tij nga detyra më 5 nëntor, e ardhmja e çështjes mbetet në duart e pasardhësit të tij, Nathan Hochman. Ai ka premtuar një rishikim të detajuar të çështjes përpara se të marrë një vendim përfundimtar.
Çfarë pritet më tej?
Seancat e ardhshme për rigjykimin do të zhvillohen më 30 dhe 31 janar 2025. Nëse rekomandohet ulja e dënimit, fjala e fundit i takon gjyqtarit dhe bordit të lirimit me kusht. Vëllezërit Menendez kanë kaluar dekada duke ndihmuar të burgosurit e tjerë dhe duke u përpjekur të përmirësojnë veten. Nëse dënimi i tyre ndryshon, mund të sjellë një kapitull të ri për një nga rastet më të debatueshme të drejtësisë amerikane.